Shkolla e mesme e Zhegrës e parenovueshme, komuna premton objekt të ri

Në një debat të organizuar nga klubi i gazetarëve «Beqir Musliu», kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka propozuar që nxënësit e shkollës së mesme «Zenel Hajdini» të Zhegrës t`i ndjekin mësimet në shkollën fillore «Agim Ramadani».

Objekti i së parës shkaku i vjetërsisë është në gjendje të rëndë, shkruan sot «Koha Ditore». Kryetari Haziri ka thënë se do të shikohet mundësia të bëhet një objekt i ri për 200 nxënës, sepse ai objekt në bazë të vlerësimit profesional nuk mund të rinovohet.

«Sanimi do të jetë shumë telash, nëse kushtet teknike lejojnë që të sanohet ne jemi të gatshëm, sepse më lehtë është që të sanohet. Por ne besojmë që nuk lejojnë kushtet teknike që të sanohet ajo shkollë. Vitin e kaluar kanë qenë inxhinierët dhe nuk kanë planifikuar asgjë për shkak të gjendjes së rëndë», ka thënë Haziri

Ndërsa Shemsedin Elezi, kryetar i këshillit të fshatit Zhegër, ka deklaruar se personeli i shkollës dhe nxënësit nuk mund të vazhdojnë procesin mësimor më ngase këtë gjë nuk do ta lejojë edhe Ministria e Arsimit. Ai ka thënë se në rast se komuna vendos që të rinovojë objektin ata janë të gatshëm që të participojnë me mjete buxhetore.