Shkolla e katërt në Drenas bëhet me bufe për ushqim të nxënësve

Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Drenasit, z. Sadik Tahiraj, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me IADK-në për implementimin e projektit të financuar nga BE «Gratë e veja krijojnë bufe në shkolla» në partneritet me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Projekti do të implementohet në shkollën fillore të mesme të ulët «Xheladin Gashi-Plaku» në Komoran. Përveç ushqimit të freskët dhe të zgjedhur, nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët «Xheladin Gashi-Plaku» në Komoran, do të hanë edhe ushqim të shëndetshëm, të përgatitur nga gratë përfituese të projektit, të cilat kanë kryer trajnimin në përgatitjen e ushqimit nga IADK, transmeton Koha.net. Prandaj, gjatë qëndrimit në shkollë, tani ata zgjedhin të konsumojnë këto ushqime.

Drejtori Tahiraj është shprehur i kënaqur për plotësimin e kushteve të nxënësve nëpër shkolla. «Kjo është shkolla e katërt në Komunën e Drenasit që është bërë me bufe. Gjithashtu në të ardhmen mendojmë të pajisim me bufe edhe dy shkollat e mesme».