Shkodra, një qytet i tronditur nga krimi

Një kronikë e «Zërit të Amerikës» nga Shkodra, ku të shtunën u vranë dy persona.

Shkodra.



Vrasja të shtunën në Shkodër e dy vëllezërve – Astrit dhe Ibrahim Bilali – ka rikthyer vëmendjen tek grupet kriminale që, prej vitesh, veprojnë në këtë qytet. Ibrahim Bilali, 61-vjeçar, ishte drejtues i shoqatës «2 prilli 1992», ndërsa vëllai i tij, Astriti 59-vjeçar, ishte kampion i garave të hipizmit.

Policia njoftoi se ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të autorëve të cilët, pas ngjarjes, janë larguar me një automjet, i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë, në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja. Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili mbërriti në Shkodër pak orë pas ngjarjes, në përfundim të një analize thuajse katër orëshe me ekspertët e policisë vendore dhe atyre të ardhur nga Tirana, deklaroi se «tentakulat e krimit te organizuar kanë arritur përsëri të godasin» dhe se pista kryesore që po ndiqet nga policia për zbardhjen e vrasjeve është ajo e larjes së hesapeve».

Dyshimet e para të policisë lidhen me hakmarrjen dhe përplasjen mes grupeve kriminale si dhe aktivitetin e djalit të Astrit Bilalit, Asmirit, një ish-kampion i sportit të boksit, i arrestuar në shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal «Bajri». Rreth një vit më parë, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj pati deklaruar se në Shkodër veprojnë 4 grupe kriminale, por pa identifikuar asnjërin prej këtyre grupeve. Në të vërtetë, grupet kriminale që veprojnë në Shkodër kanë një histori më shumë se 25-vjeçare, mbushur me vrasje, kërcënime, trafik droge, prostitucion, rrëmbim të pronave, etj. Gjatë viteve, disa prej grupeve u larguan nga skena pas vrasjes së drejtuesve të tyre. Mbijetuan grupet më të fuqishme, ato që ishin organizuar në bazë familje.

Veprimtaria dhe mbijetesa e tyre deri më sot i dedikohet mosndërhyrjes në territoret dhe veprimtarinë e njëri-tjetrit dhe aftësisë për të mbështetur grupimet politike, herë të majta e herë të djathta, sipas rotacionit në qeverisje. Por, qetësia mes grupeve u përmbys në 13 janarin e vitit të kaluar, pas një atentati me lëndë shpërthyese të telekomanduar ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Sipas policisë, ai ishte një figurë e njohur e krimit në Shkodër. Në këtë atentat, të kryer fare pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 persona, mes të cilëve edhe vetë Kulla. Ngjarja u pasua nga atentate të njëpasnjëshme ku, deri tani, kanë mbetur të vrarë 9 persona, ndërsa dy të tjerë figurojnë të zhdukur.

13 janar 2018: atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.

Qershor 2018: zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.

18 qershor: ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.

15 korrik: vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish-polici Boran Bercana dhe Silvi Ndoci, bashkëjetuese me të.

8 gusht 2018: vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vëllai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale.

1 shtator 2018: vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kalëronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shënjestrën.

14 nëntor 2018: në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.

20 mars 2019: në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.

30 mars 2019: vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali.

Policia nuk ka arritur të parandalojë asnjë prej këtyre ngjarjeve të rënda kriminale që kanë tronditur banorët e Shkodrës dhe që kanë pasur jehonë brenda dhe jashtë vendit. Vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar, dhe tronditja e sigurisë në Shkodër ishin arsyet që opozita e bashkuar bojkotoi seancën plenare të sesionit të ri parlamentar. Përfaqësuesit e opozitës u mblodhën në Shkodër duke denoncuar situatën kriminale në këtë qytet dhe duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin.

Duket se ky tensionim i situatës politike në vend i dha shtysë policisë që të nisi me shpejtësi operacionin «Oazi» për shkatërrimin e njërit prej grupeve më të fuqishme, grupit Bajri. Operacioni policor, një ndër më të mëdhenjtë e zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, u shtri në Shkodër, Tiranë, Spanjë dhe Roterdam të Holandës duke çuar në arrestimin e 12 anëtarëve të këtij grupi, përfshirë edhe drejtuesit e tij. Kjo duket se qetësoi për disa muaj situatën e rendit në qytetin e Shkodrës, derisa në mëngjesin e të shtunës (30 mars 2019) u vranë dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo që risolli në vëmendje deklaratën e ish-ministrit Xhafaj se në Shkodër veprojnë katër grupe kriminale.

Ndryshe nga sa pritej, operacioni policor i koduar «Oazi» nuk i dha fund vrasjeve dhe as hakmarrjes mes grupeve kriminale të Shkodrës. Këtë e pranoi edhe vetë ministri Lleshaj në ditën e vrasjes së vëllezërve Bilali kur tha se «me gjithë goditjet që i janë dhënë krimit në Shkodër, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende. Metastazat e këtij krimi treguan se janë gjallë dhe kanë mundësi të godasin».