Shkëlqimi dhe dështimi i një shkencëtari gjerman

Një politolog gjerman shqyrton krizat në horizontin ballkanik, ndërsa shikon kryesisht shqiptarët. Dhe këtu ai nuk e sheh të domosdoshme të jetë i saktë në pohime.




Që Edi Rama e ka vërtet mirë me kancelaren konservative gjermene Merkel, dëshmon ndoshta edhe një artikull i portalit të fondacionit të socialdemokratëve gjermanë Friedrich Ebert Stiftung, «Internationale Politik und Gesellschaft». Në legjendën e fotografisë që e ilustron artikullin, ku festojnë disa persona me simbole shqiptare, shënon: «Problem nacionalizmi: Tifozë shqiptarë e festojnë provokimin e Olsi Ramës, vëlla i shefit të qeverisë shqiptare Edi Rama. Ai në lojën kundër Serbisë në stadium e kishte lëshuar një dron me një flamur shqiptaromadh». Titulli i artikullit: «Ballkani e ka vendin përsëri në agjendë», nëntitulli: «Po shtohen krizat në Ballkan. Kjo është e rrezikshme për UE-në». Autori i artikullit prezentohet në një boks: Dr. Winfried Veit, politolog dhe docent për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Freiburgut, ish referent i Fondacionit në Europën Lindore dhe Azinë qëndrore… Si simbol i krizave të reja në Ballkan merret Shqipëria dhe shqiptarët!

Autori analizën e nis me vitin 1991, me fillimin e shthurrjes së Jugosllavisë. Atëherë edhe nisi një histori e hidhur e rajonit, me luftërat në ish-Jugosllavi, të cilave u dha fund vetëm angazhimi i SHBA-ve. Dhe shumë shpejt ai mbërrinë në incidentin e fundit të armatosur në Kumanovë mes një grupi shqiptarësh të armatosur dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë, por pa e hulumtuar rastin më thellë. Autori i skanon me nga një rresht zhvillimet kryesore në të gjitha vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe Rumaninë, ku prokuroria po heton kryeministrin Victor Ponta për korrupsion dhe evazion fiskal. Në një «vështrim të problemeve të Ballkanit» ai u kushton nga rrafsh tetë rreshta «çështjes kombëtare» dhe «gjendjes ekonomke». Te e para, dy të tretat ia kushton ëndërrës së shqiptarëve për të jetuar në një Shqipëri të Madhe, dy rreshta serbëve të Bosnjës dhe gjysëm rreshti kroatëve – të cilët dëshirojnë gjithashtu t’i bashkohen shtetit të tyre amë. Te ekonoia autori pohon se «nga përfundimi i luftërave nuk ka pasur përparimin ekonomik». Në Kosovë, Bosnjë dhe Maqedoni papunësia e të rinjtëve shkon në mbi 50 për qind. Sipas një studimi, 66,7 për qind e popullatës së Shqipërisë është e gatshme të emigrojë; në Kosovë kjo shifër arrinë në 55,1 për qind, në Maqedoni – 52,8 për qind, ndërsa në Bosnjë ajo shkon në 49,2 për qind. Për Serbinë nuk jep shifra.

Katërfishin e vëllimit të pjesës për «çështjen kombëtare» dhe «gjendjes ekonomike» autorit ia merr pjesa «krimi i organizuar». Dhe katërfishin e të tjerëve ua kushton shqiptarëve. Disponimi i gjermanëve kundër Hashim Thaçit është i njohur më së voni që nga arrestimi në Kosovë i tre agjentëve të shërbimit gjerman të zbulimit. Dhe këtë pjesë autori për ironi e fillon mu me kualifikimin e një agjenti të zbulimit: «Pavarësia e Kosovës e vendosur me bombat e Nato-s më 1999-tën, sipas një bashkëpunëtori të BND-së të stacionuar atje ka krijuar një shtet, ‹në të cilin rregullimi shtetëror është kriminaliteti›». Shqipëria, Kosova dhe udhëheqësit e saj nuk akuzohen për herë të parë, por këtu sikur nuk është e nevojshme të jesh i saktë kur flitet për shqiptarët. As nuk duhen burime, aq më tepër neutrale. Sipas autorit, Kosova është «vendi kryesor i paketimit» të heroinës nga Afganistani për në Europë dhe «Një pjesë e madhe e elitave politike është e përfshirë në kësi dhe biznese të ngjashme si trafikimi i organeve njerëzore ose i mbulon ato (për këtë, ministrit të jashtëm dhe ish kryeministrit Hashim Thaçi i kanoset një akuzë nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë).» Ai e citon një ish bashkëpunëtore të «administratës ndërkombëtare» se situata në Kosovë tani është më e keqe se para vendosjes së misionit europian. Dhe arsyen për këtë autori e gjenë në një citat të Belul Beqajt, se ata që deshën ta europeizojnë Kosovën u ballkanizuan vetë. Bilanci i Perëndimit nuk është i tillë vetëm në Kosovë, por gjithandej në Ballkan, shton në një fjali ai. Ndihmat shpërdorohen, kurse ndalimi i tyre do të shpiente në kriza të cilat Europa nuk është e zonja t’i përballojë, dhe për këtë do t’i duheshin SHBA-të – e vërenë për të disatën herë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve autori.

Paraqiten edhe dy opsione të tjera. Për serbët, bullgarët dhe maqedonasit është Rusia, e cila shihet si kartë nëse Europa kërkon shumë prej tyre. Rusia, thotë autori, ka ndikim në mediat serbe e malazeze, ndërsa për sa i përket energjisë janë ashtu-ashtu të varura nga ajo. Me «Turkish Stream Pipeline» ky ndikim rritet ende më shumë në të gjithë Ballkanin. Ndonëse, sipas autorit, «në vende me mbruajtje të theksuar islame si Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po rritet ndikimi i Turqisë», e cila gjithnjë e më shumë po ia kthen krahët Europës dhe nuk i kushtëzon eliatat lokale, sikurse UE-ja. Nuk merret vesh nëse me «opsionin turk» autori mendon një alternativë të shqiptarëve përveç Perëndimit – në analogji me me statusin rus te serbët. Perëndimi vendeve të Ballkanit ua ka ofruar perspektivën e integrimit, «por ky instrument kaq i suksesshëm i politikës së zgjerimit, me përjashtim të Serbisë, në Ballkan ka dështuar.» Bravo! Kjo, sipas autorit, ndodh për shkak të mungesës së një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Faktorët kryesorë, Gjermania dhe Franca janë të fokusuar në kriza të tjera, çka mund t’i hakmerret Europës. Dhe vizta e Merkelit në Tiranë dhe Beograd, sipas autorit, nuk ndryshon ndonjë gjë. ks