Shkelësit e ligjit anti-duhan duhet të raportohen në Polici

Në Tryezën e Hapur «Mjediset pa tym duhani», të organizuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Advokim (KADC) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Zyrën e OBSH-së në Kosovë, është debatuar në lidhje me informimin e pronarëve dhe menaxherëve të subjekteve afariste hoteliere për t’i njoftuar ata mbi të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për Kontrollin e Duhanit Nr. 04/L-156 dhe nga Udhëzimi i ri Administriativ Nr.09/2015 «Mjediset pa tym duhani dhe vendosja e shenjave për ndalimin e duhanit në hapësirat e mbyllura».




Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, shprehu përkrahjen e tij për respektimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, pasi që sipas tij respektimi i këtij ligji mbron direkt shëndetin e qytetarëve dhe gjeneratave të ardhshme në shoqërinë tonë.

Në një mendje me atë ishte edhe Shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Skënder Syla, i cili potencoi se duhan pirja pasive rrezikon shëndetin e fëmijëve tanë duke cenuar në të njëjtën kohë edhe lirinë e zgjedhjes së qytetarëve të cilët nuk i konsumojnë produktet e duhanit.

Përkrahja për zbatimin e këtij ligji erdhi edhe nga përfaqësuesi i policisë së Kosovës, kapiteni Vllaznim Surdulli.

Ndërkaq, Faik Hoti, Koordinator Kombëtar për Ligjin për Kontrollin e Duhanit, tha se tashmë në fuqi është një udhëzim i ri administrativ i cili parasheh që të njoftohet policia përë shkelësit e ligjit, e jo të raportohet në numrin e mëhershëm të telefonit.

«Udhëzimi i ri administrativ sqaron se personi përgjegjës ka për detyrë që pas informimit të personit fizik se është duke e shkelur ligjin dhe pasi t’i kërkojë të largohet nga hapësira e mbyllur, të njoftojë policinë e Kosovës e jo të raportoj në numrin 800 11000 siç praktikohej deri më tash», ka thënë Faik Hoti, koordinator kombëtar për ligjin për kontrollin e duhanit.

Në debat publik, qëndrimet e tyre i shprehën edhe pronarët e menaxherët e subjekteve afariste e hoteliere, duke shprehur shqetësimin e tyre ndaj drejtësisë selektive e cila po vërehet edhe përgjatë zbatimit të këtij ligji.

Ilirjana Zymberaj, drejtoreshë e inspeksionit, u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me inspektoratin e Kosovës duke raportuar shkelësit në numrin 800 11000, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë e barabartë ku respektohet ligji brenda ambienteve të mbyllura, do të përmirësonte problemin e potencuar nga pronarët dhe menaxherët e subjekteve afariste.

KADC shpërndau mirënjohje anti-duhan: «Tobacco free keeps the world healthy!» për pronarët dhe menaxherët e ndërgjegjshëm që respektojnë Ligjin për Duhan, për t’ju bërë të ditur se këto subjekte kanë përkrahje nga autoritetet zbatuese të tij.