Shkatërrohet rrjeti i drogës: arrestohen 123 persona në Serbi

Policia e Serbisë në bashkëpunim me policinë gjermane ka goditur një rrjet kriminal.

Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Ministri i punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stevanoviq, ka deklaruar të martën se policia serbe dhe gjermane kanë shkatërruar një rrjet ndërkombëtar të tregtarëve dhe drogës. Në 18 qytete të Serbisë janë arrestuar 123 persona, ndërkohë që në kërkim janë shpallur tetë persona, të cilët dyshohet të jenë të përzier në vepra penale nga fusha e krimit të organizuar.

Stefanoviq tha se të dyshuarit ngarkohen për tentim të vrasjes, prodhim dhe kontrabandë më narkotikëve, trafikim njerëzish, dhunim, rrezikim i sigurisë, vjedhje të rënda, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera penale, njofton agjencia e lajmeve Tanjug.

Ministri i Brendshëm serb tha se gjatë të martës policia në disa aksione ka konfiskuar 176 kilogramë mariuanë, tri revole, disa qindra hape, një pushkë automatike, municion dhe para të gatshme. Sipas Stefanoviqit me aksionet e saj policia serbe, në bashkëpunim me atë gjermane, i ka dhënë një goditje të rëndë krimit të organizuar. Ai njoftoi se po ashtu janë konfiskuar 303 kilogramë kokainë, 106 kilogramë hashash, 96 kilogramë kanabis në vlerë prej rreth 20 milionë euro. Është arrestuar prijësi i njërit prej klubeve të futbollit të Beogradit dhe 29 persona të tjerë, ndërsa tre të dyshuar po kërkohen. (-lli)