«Shkarkimi i Vatajt i ligjshëm – MZHE t’i mbajë larg duart nga Kompania»

Sonte në Puls të KTV-së u diskutua për shkarkimet në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal «KUR Prishtina».




Adem Duriqi, anëtar i Bordit në Kompaninë Rajonale «KUR Prishtina», tha se shkarkimi i Xhelosh Vatajt është plotësisht i ligjshëm dhe se Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka pas të drejtë të dërgojë rekomandim për kthimin e tij sepse s’ka kurrfarë kompetence kjo ministri.

«Vataj është shkarkuar për shkak se ka bërë shumë shkelje. Nuk na ka raportuar dhe nuk kemi pas raporte se çka po punon. Raporti i auditorit ka gjetur një mal shkeljesh në kontrata», ka thënë Duriqi, raporton Koha.net.

Tutje, ai ka thënë se «KUR Prishtina» tash e tre muaj është pa licencë, që do të thotë se «kompania e ujësjellësit regjional punon në të zezën».

«20 milionë euro kredi që është marrë nga kompania e ujësjellësit regjional Prishtina është e disfavorshme për neve. 4 milionë më shumë duhet t’i kthejmë, plus duhet t’i kthejmë ende pa e marrë kredinë mirë», ka theksuar më tej Duriqi.

Selatin Retkoceri, U.D. i Kryeshefit të Ujësjellësit Rajonal «KUR Prishtina» tha se Vataj i ka pas marrëdhëniet e ngrira me Komunën e Prishtinës.

«Komuna e Prishtinës, për shkak të dyshimeve se projektet nuk po shkojnë si duhet, i ka bllokuar rreth 4 milionë euro pikërisht për shkak të raporteve të ngrira mes Vatajt dhe komunës. Ne e kemi gjetur kompaninë në gjendje të rëndë pas shkarkimit të Kryeshefit Xhelosh Vataj. Neve sot për shkak të mospunës na humbin 53% të totalit të ujit. Kjo humbje shkaktohet për shkak të rrjetit të dobët, etj.. Projektet po vonohen, e keni raportin tonë, kemi treguar se gjithçka këtu është vonuar, asnjë punë nuk është kryer si duhet», ka shtuar ai.

Sipas Retkocerit, më e keqja në këtë kompani është se «për një vend pune në këtë kompani punojnë nga dy zyrtarë me kravata, ndërsa punëtorë që quajmë të lopatës, që na duhen shumë, na mungojnë», theksoi ai.

Retkoceri tha se ka faturime të kundërligjshme, duke përmendur shembullin e QKUK-së, institucion për të cilin tha se paguan për objektet private afariste dhe për shtëpia që ndodhen në QKUK.

E i ftuari tjetër, Ylber Zabërgja, shef i Prodhimit në «KUR Prishtina», tha se të gjithë kryeshefët deri më sot i kanë ndjekur donatorët dhe pastaj kanë marrë kredi që ta rëndojnë gjendjen e kompanisë edhe më shumë.