Shkaku i krizës – Maqedonia humb 27 milion euro nga fondet e BE-së

27 milion euro të pa kthyeshme nga programi IPA, mjete të dedikuara për përgaditjen për aderim në BE, i ka humbur Maqedonia për shkak të mos zgjidhjes së krizës politike dhe moszbatimit të reformave. Komisioni Evropian konfirmon arsyet, ndërsa në Shkup partitë shkëmbejnë akuza për atë se kush është fajtore.

Foto: esfera / Shutterstock.com

Maqedonia fillon të ndjejë pasojat e para më të rënda në aspektin financiar që nga fillimi i krizës politike. Për shkak të moszgjidhjes së krizës politike dhe moszbatimit të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, ky i fundit ia ka shkurtuar Maqedonisë 27 milion euro nga fondet IPA, para të pakthyeshme që jepen për përgaditjen e Maqedonisë për integrim në BE.

Vendimin e ka konfirmuar edhe vetë zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç, në një deklaratë për agjencinë maqedonase të lajmeve MIA. «Mungesa e përkushtimit politik në realizimin e reformave kanë ndikuar në atë që Komisioni të ulë ndihmën financiare të BE-së që është parashikuar për vitin 2016, si dhe të vendosë që të mos vazhdojë me tjetër projekt», ka thënë Maja Kocijançic.

Nga Qeveria e Maqedonisë kanë mohuar të bëhet fjalë për sanksione, por kanë thënë se bëhet fjalë për zvoglim të mjeteve të programuara. Në të njëjtën kohë, Qeveria e cila nuk ndjehet fajtore për këtë vendim, akuzon opozitën në vend si faktor shtesë në zvoglimin e mjeteve. Nga Qeveria thonë se ky vendim ka ardhur nga dy aspekte: «Aspekti i brendshëm lidhet me faktin e zvarritjes së zgjedhjeve prej më shumë se një viti. Në këtë periudhë institucionet ishin të hendikepuara politikisht përmes mekanizmave të bllokimit në disa ministri kyçe, përfshirë edhe atë të finansave. Partia më e madhe opozitare pjesmarrjen e saj në Qeveri nuk e shfrytëzoi për rritjen e besimit në procesin zgjedhor, siç parashihet në marrëveshje. Por, përkundrazi, fokusin e vendosi në bllokimin e institucioneve dhe shkaktimin e një dëmi sa më të madh për shtetin», thuhet në reagimin e Qeverisë së Shkupit. Aspekti i jashtëm sipas kabinetit të kryeministrit Emil Dimitriev, lidhet me përvojat e Komisionit Evropian në proceset e mëparshme të zgjerimit, ku masovikisht janë finansuar projekte infrastrukturore dhe të tjera përmes fondeve aderuese dhe më pas edhe ato strukturore në vendet e posapranuara në BE. «Efikasiteti në shpenzimin e atyre mjeteve ka shkaktuar shumë alarme. Si pasojë, me instrumentet e reja për ndihmë paraqasëse janë paraparë më shumë restriksione, të cilat e kufizojnë vëllimin e fushave për derdhjen e fondeve evropiane, në pajtim me planifikimet, shpenzimet dhe prioritetet», thuhet në reagimin me shkrim të Qeverisë.

Humbja e 27 milion eurove të pakthyeshme nga BE ka përplasur edhe partitë politike në vend. Ashtu si Qeveria, edhe partia më e madhe në pushtet, VMRO-DPMNE, ka akuzuar LSDM-në opozitare dhe liderin e saj Zoran Zaev: «Kriza politike në të cilën Zoran Zaev e futi Republikën e Maqedonisë kontriboi në vendimet që janë në dëm të qytetarëve. Ky është qëllimi i atyre të cilët dëshirojnë problem në Maqedoni, ndërsa ikin nga ballafaqimi demokratik me qytetatarët në zgjedhje», thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq sipas LSDM-së, fajtore për shkurtimin e mjeteve nga fondet IPA të BE-së janë politikat e gabuara financiare të Qeverisë. «Përmes fondeve të tilla paraqasëse, Maqedonia mund të ndërtonte infrastrukturën, megjithatë për shkak të politikave të gabuara, ato para është e qartë se po i humbim gjithnjë e më shumë. Prandaj, LSDM pas marrjes së pushtetit do t’i shfrytëzojë të gjitha fondet evropiane. Në këtë moment në Republikën e Maqedonisë mjetet buxhetore shpenzohen për projekte jofitimprurëse, kështu që këto fonde paraaderuese mbeten dhe BE i tërheq mbrapa», deklaroi Bllagoj Boçvarski nga LSDM.