Shiu i Pargës

Parga me Kështjellën e Ali Pashës. Foto: Shutterstock

Parga kur zgjohet rrugicave
Sytë i lajmë në Jon
Dhe ngjitemi tek kështjella e Ali Pashës
Ku na zdesh dielli

Në kaltri atje poshtë noton
Moreja Ishull i bardhë

Në ullishtet ilire humbim pastaj pas hijeve
Herë duke prekur majat e Sulit
Herë duke biseduar me perënditë e Dodonës

Në shtëpi të xha Andonit
Kyçim ditën e djersitur në vrapim
Dhe Petriti mëson përrallat e para për Morenë

Është e bardhë babi a është e zezë
Është e rrumbullakët
Është më e madhe se Ulpiana
Është më e lartë se Sharri

Çfarë forme ka Moreja babi

Në brendinë time të shurdhët
Zjarri dhe shiu i Pargës
Ndërmjet meje e xha Andonit
xhami i thyer

(Pargë, 1986)