Shitja e emisioneve televizive mjegullon linjën ndarëse mes lajmit dhe propagandës

Në dy proceset e fundit zgjedhore, një numër televizionesh kanë reklamuar haptazi në KQZ shitjen e hapësirës në edicionet informative dhe emisionet politike për partitë dhe kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë – një praktikë që ndalohet me ligj dhe përbën shkelje të rëndë të normave më bazike të gazetarisë.

Kameramanët, gjatë mbledhjes së Keshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ne Kuvend. Foto nga: LSA / GENT SHKULLAKU



Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë në nenin 84 ndalon rreptësisht propagandën, komentet ose qëndrimet politike brenda edicioneve informative. Në rast shkeljesh të konstatuara, një operator televiziv gjobitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në 1 milion lekë, në qoftëse është operator lokal dhe deri në 2.5 milionë lekë për operatorët kombëtarë. Në rast përsëritje të shkeljes, KQZ urdhëron AMA-n të bllokojë transmetimet e operatorit përkatës për 48 orë.

Gjobat që parashikon ligji duket se nuk i kanë ndaluar dy operatorë televizivë, News 24 dhe A1 Report  që të reklamojnë haptazi nëpërmjet KQZ-së shitjen e kronikave televizive dhe të emisioneve prime-time për partitë politike dhe kandidatët gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe atyre vendore të vitit 2015.

Kjo praktikë, e cila sipas ekspertëve të medias është vetëm maja e ajsbegut përsa i përket marrëdhënies së errët midis medias dhe politikës në Shqipëri, është një tjetër shenjë e shkeljes së vijës ndarëse midis lajmit dhe propagandës gjatë fushatave elektorale.

Megjithatë, KQZ e cila i ka marrë këto vetëdeklarime dhe i ka publikuar në faqen e saj zyrtare nuk duket se ka vërejtur ndonjë problem në këtë pikë, dhe një anëtar i Bordit të Monitorimit të Medias, BMM, i tha BIRN-it që kontrolli i këtij institucioni ishte limituar thjesht në matjen e minutazhit që u është alokuar palëve garuese në fushatë.

I pyetur nga BIRN-i mbi shitjen e hapësirës në emisione politike, drejtori i TV News 24 Andi Tela, u shpreh se tarifat e shpallura gjatë dy fushatave të fundit nuk kishin qëllim propagandën, por largimin e politikës nga televizioni.

«Ideja e këtyre çmimeve për debatet dhe emisionet është te fakti që ka shumë kërkesa për të dalë në emision, d.m,th vjen çdo njeri, shoku i filanit, një parti… Për ta shmangur këtë gjë ne vendosëm këto çmime edhe ata stepen, nuk vijnë», tha Tela.

Ndërkohë, ish-drejtuesi i A1 Report, tashmë i mbyllur dhe i ndarë në dy televizione A1 dhe Report TV, i tha BIRN-it që shitja e kronikave televizive ishte një problematikë e lidhur me kompaninë tashmë të mbyllur.

«Ajo është tjetër kompani», tha Carlo Bollinio në një bisedë telefonike, ndërsa shtoi se «Report TV» të cilin ai zotëron tani «nuk shiste kronika».

Shqipëria renditet e 76-ta në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2017, të publikuar nga organizata Reporterë pa Kufinj, ndërkohë që organizata «Freedom House» e cilëson median shqiptare në raportin e saj vjetor si «pjesërisht të lirë».

Sipas një raporti mbi financimin e partive politike të publikuar në vitin 2016 nga Instituti për Studime Politike, ISP, ndikimi i politikës mbi politikën editoriale të medias bëhet edhe më i madh gjatë fushatave elektorale, sepse partitë shpenzojnë shuma të konsiderueshme në reklama politike. Liderët politikë, si  kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama, rëndom i kanë akuzuar gjatë muajve të fundit mediat dhe pronarët e tyre si të «kapura» apo «kazanë ku gëlon gënjeshtra», çfarë nënvizon marrëdhënien e komplikuar midis medias dhe partive politike në Shqipëri.

Ky ndikim del haptazi në raportet e tarifave për reklamë televizive gjatë fushatës, të publikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e vitit 2013-të dhe 2015-të, ku A1 Report dhe News 24 afishojnë oferta për shitjen e haspirës brenda emisioneve dhe edicioneve informative të lajmeve.

A1 Report deklaronte në dy dokumente që gjenden në faqen e KQZ-së për zgjedhjet e kaluara se ofronte për shitje kronika që varionin nga 1200 në 1800 euro dhe po ashtu reportazhe që shiteshin nga 2,500 euro deri në 5 mijë euro në varësi të kohës dhe numrit të transmetimeve.

Carlo Bollino, ish-administratori dhe aksioner i këtij televizioni para dhe pas fushatës së 2015-ës, i cili tani drejton Report TV, i tha BIRN-it se nuk dëshironte të fliste për kompaninë e mbyllur.

«Çfarë lidhje ka A1 Report? A1 Report është tjetër televizon, nuk merrem me A1 Report, ne jemi Report TV», tha Bollino për BIRN-in. I pyetur për shitjen e kronikave dhe reportazheve, Bollino tha se kjo media nuk e aplikonte këtë dhe se marketingu e gazetari aty ishin të ndarë.

Ndërkohë, News 24 aplikonte tarifa që varionin nga 2500 euro në 5,000 euro për emisione politike ose ekonomike të dedikuara për kandidatët në zgjedhjet e 2013-tës dhe 2015-tës. Drejtor i Përgjithshëm i News 24, Andi Tela i tha BIRN-it se qëllimi ishte për të penguar personat që ndërhynin për të pasur hapësirë në televizion.

«Kjo është praktikë për të shmangur hyrjen e njerëzve të panjohur nëpër studiot televizive», u shpreh ai. Tela nënvizoi se në rast se ndonjë prej personave paguante tarifën e vendosur, atëherë ai merrte kohë transmetimi, por u përgjigjej pyetjeve të moderatorit pa asnjë ndryshim nga të ftuarit e tjerë, ndërsa shtoi se kjo «nuk para ndodhte».

«Nëse dikush e pranon tarifën i nënshtrohet pyetjeve apo gjithçkaje normale që bëhet nga moderatori i emisionit. Por nuk është se pranojnë ata, janë çmime të larta», shtoi Tela.

Kryetari i Bordit të Monitorimit të Medias në zgjedhjet e 2015-të dhe anëtar i BMM-së për disa zgjedhje radhazi, Basir Çollaku i tha BIRN-it se KQZ-ja gjatë fushatave mat vetëm kohën që u jepet subjekteve në televizione. I pyetur për rastin e reklamave, Çollaku shpjegoi se nëse emisioni do ishte i pabalancuar, pra vetëm me një krah apo një përfaqësues, atëherë media rrezikonte të gjobitej për këtë si shkelje të ndarjes së kohës televizive për subjektet politike.

«Në fushatën e fundit vendosëm rreth 8 milion lekë të reja gjoba në tre raste të ndryshme», tha Çollaku, duke shtuar se në të gjitha rastet bëhej fjalë për shkelje të minutazhit për forca të ndryshme politike.

Një drejtues emisioni në televizionet  që e shisnin hapësirën televizive i tha BIRN-it se nuk komentonte, pasi nuk kishte dëgjuar për diçka të tillë dhe nuk ishte njohur me këtë praktikë [të bërë] nga marketingu. Ndërkohë, gazetarë të ndryshëm të kontaktuar nga BIRN-i, u shprehën se shitja e hapësirës në edicione dhe emisione informative ndodhte edhe në media të tjera, edhe pse në mënyrë informale dhe me tarifa edhe më të kripura.

Këto praktika për vëzhgues të lirisë së medias në Shqipër janë joetike dhe shkelin standardet më bazike të gazetarisë.

Anëtari i Këshillit të Medias, Blendi Salaj i tha BIRN-it se kjo procedurë turbullonte ndarjen mes propagandës dhe informimit.

Ndërkohë, Mustafa Nano, i cili drejton një emision debati në një platformë online, ishte më i ashpër dhe i tha BIRN-it se kjo ishte e ‘paprecedentë.«Shitja e kohës në ekran është brenda etikës së medias, pasi krijohet një ndarje e qartë midis përmbajtjes së krijuar nga vetë televizioni dhe reklamës politike, ndërsa shitja e produktit gazetaresk, pra shitja e ftesës në studio, intervistës, kronikës apo reportazhit dokumentar, turbullon vijën që ndan propagandën nga lajmi, marketingun politik nga informimi», tha Nano.

«Nëse bën një emision promocional është marketing nuk është gazetari, ka lidhje zero me gazetarinë», tha Nano. «Kjo është shenja më e parë që televizionet janë kioska», shtoi ai.

Lufti Dervishi, analist dhe profesor gazetarie në Universitetin e Tiranës ishte njësoj kritik, duke nënvizuar se nëse televizionet e shesin hapësirën informative, ato kanë detyrim t’ia bëjne me dije publikut diçka të tillë.

«Nëse e bëjnë, duhet ta bëjnë të ditur- njerëzit duhet ta marrin vesh  që kjo është e paguar, pasi ata e shesin këtë, por duhet të vënë atë siglën. Ky do ishte minimumi i kësaj», tha Dervishi.

Ashtu si Salaj dhe Nano, ai e sheh rastin si shenjë e degradimit të medias në vend, ndërsa vëren se kjo i heq asaj funksionin kryesor gjatë një fushate.

«Ti je media për të qenë skanues apo ndërmjetësues mes publikut dhe njerëzve që synojnë publikun, por nëse e shet veten te ai tjetri nuk është me lidhja, nuk është më media në kuptimin profesional», tha Dervishi.

Salaj po ashtu tha se media duhet t’i shërbejë publikut për të kontrolluar politikën dhe se shitja e kohës televizive për partitë krijon një raport të mbrapshtë.

«Kur televizionet, në sekret të plotë ndaj publikut shesin gazetarinë e tyre tek politika, kemi një raport tërësisht të sëmurë midis të trejave», tha Salaj.

«Në teori mediat duhet t’i shërbejnë publikut për të kontrolluar politikën, ndërsa në praktikë gjithçka është kthyer kokëposhtë në rastin kur media bashkëpunon me politikën për të mbajtur nën kontroll publikun», përfundoi ai.

(https://www.reporter.al/shitja-e-emisioneve-televizive-mjegullon-linjen-ndarese-mes-lajmit-dhe-propagandes/)