Shitblerje rekorde e armëve në kohë luftërash

Viti 2015 ka shënuar nivelin më të lartë të shitjes së armëve, kanë treguar të dhënat e fundit të prezantuara të martën prej një firme private të inteligjencës.

Foto: Viatchaslau JOUKAU / Shutterstock.com

Raporti i Tregtisë Globale të Armëve të IHS-së së ka treguar se Arabia Saudite ka vazhduar të jetë blerësja më e madhe e armëve në nivel botëror, pasuar prej Indisë, Australisë, Egjiptit dhe Koresë Jugore.

Në krye të listës së shteteve që shesin armë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar prej Rusisë, Gjermanisë dhe Francës.

Hulumtimi ka dëshmuar se industria e mbrojtjes kishte vlerën e 65 miliardë dollarëve amerikane krahasuar me 6,6 miliardë dollarë më 2014.

«Një prej faktorëve kryesorë në këtë drejtim është se eksportet e mbrojtjes korrespondojnë me rrethanat në detet e Kinës Jugore dhe në Lindje të Mesme«, ka theksuar Ben Moores, analist sendor në IHS, raporton «Newsweek».

«Një numër faktorësh e kanë nxitur Arabinë Saudite që të importonte armë. Sauditët kanë dy programe me role të shumëfishta të aeroplanëve luftarakë. Gjatë bumit të çmimeve të naftës, kishin porositur shumë prej pajisjeve që po i marrin dhe ata kanë rezerva të bollshme për të vazhduar me këtë trend të blerjes».

Ai ka shtuar se faktori tjetër është fakti se «sauditët po blejnë lloje kapacitetesh që nuk ekzistonin më parë. Më parë, gjithnjë kanë blerë armë tradicionale konvencionale. Ata tani po blejnë armë inteligjente ISR dhe vrojtues për të mbajtur nën kontroll gjendjen në terren. Po blejnë edhe armëve që ua mundësojnë të ndërhyjnë në nivele taktike».

Raporti gjithashtu pretendon se Franca, qeveria e së cilës ia ka dalë të përfitojë prej shitjes së armëve për të mbuluar disa boshllëqe të shkaktuara nga kriza e fundit ekonomike, mund të vazhdojë me revolucionin e saj të pazareve të armatimit.

Shitja e armëve Arabisë Saudite, Algjerisë, Indisë, Brazilit dhe Australisë jo vetëm do ta vënë në vendin e parë të shitësve në Evropë, por mund ta çojnë në vendin e dytë në nivel botëror deri më 2018, nëse kryhet pazari për shitjen e nëndetëseve prej 39 miliardë dollarësh Australisë.

«Fakti se francezët do t’i kalojnë rusët është i rëndësishëm sepse situata të ngjashme nuk kemi parë për dekada me radhë. Ka kohë të gjatë që nuk kemi parë ndryshime pozicionesh të shteteve në mesin e dy të parave të listës», ka deklaruar Moores. «Franca ka përfituar prej Lindjes së Mesme, dhe sauditët e Emiratet e Bashkuara arabe janë blerës të mëdhenj. Shtetet e Bashkuara kanë kufizime kur vjen puna te shitja e armëve Lindjes së Mesme, por jo edhe Franca, veçanërisht në fushën e pajisjeve teknologjike».

«Nëse bëhet ky ndryshim, do të shtrohet pyetja në Rusi se çfarë po ndodh me industrinë e tyre të mbrojtjes. Shteti ka kontroll të madh në media, andaj nuk do të jenë shumë të shqetësuar për opinionin publik, sepse mund të thonë çfarë të duan, megjithëse njerëzit e fushës do të dëshpërohen».

«Sa për Francën, megjithatë do të jetë punë e madhe», ka theksuar Moores. «Hollande, që së fundi nuk gëzon shumë mbështetje popullore, do të mund të thotë se ka hapur vende pune dhe se ka fuqizuar industrinë e Francës, gjë që nuk ka mundur ta bëjë edhe Qeveria britanike».

(«Newsweek»)