Shipkovica në rrezik, e harruar nën gërmadha

Shtëpitë dhe oborret e papastruara; rrugët e dëmtuara, që pamundësojnë qarkullimin e lirë të mijëra banorëve të malësisë së Tetovës, objekte para shembjes; bërlloku që rrezikon përhapjen e epidemive; rrjeti i ujësjellësit i riparuar përkohësisht, i cili nuk mund t'i përballojë sezonit të dimrit dhe ngricave.




Kështu duket Shipkovica edhe dy muaj pas vërshimeve të 3 gushtit që morën jetën e pesë personave dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale, raporton korrespodenti i «dialogplus» nga Shkupi.

Gjendja edhe më shumë vështirësohet çdo ditë kur regjistrohen reshje të shiut, ndërsa gjendja bëhet më e pasigurt në këtë stinë dhe ende me pasojat e rënda nga vërshimet e gushtit.

Banorët të revoltuar kërkojnë përgjegjësi nga Komuna e Tetovës dhe organet kompetente.

Abdulla Mehmeti, intelektual dhe banor i fshatit Shipkovicë, kërkon llogari edhe për mjetet e shumta financiare që u mblodhën për të sanuat pasojat.

«Fotografitë flasin vetë për gjendjen dhe nuk ka nevojë për komente, por për aksion dhe transparencë. Këto fotografi janë vetëm nga një lagje e përfshirë nga vërshimet, për të tjerat do të informoheni gjatë ditëve në vijim. Mbi këto gërmadha kaluan dhe u fotografuan: kryeministri, ministra, deputetë, liderë të partive politike, përfaqësues të pushtetit lokal, personalitete të jetës publike etj., por gjendja mbeti si në ditën e vërshimeve», thotë Abdulla Mehmeti.