Shfaqet premiera e filmit të Steven Spielbergut, në të cilin luan edhe shqiptari Marko Caka

Regjisori Steven Spielberg dhe aktori Tom Hanks, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar në New York City, me rastin e premierës botërore të filmit të tyre të ri, «Bridge of Spies».




Filmi e rrëfen historinë e negociatave ndërmjet disa avokatëve nga New Yorku lidhur me lirimin e një piloti Amerikan, i cili mbahet peng nga Bashkimi Sovjetik gjatë luftës së ftohtë, transmeton KTV.

Pjesë e filmit i cili flet për periudhën e luftës së ftohtë, është edhe shqiptari Marko Caka në rolin e reporterit i cili mbulon proceset gjyqësore të avokatit që e luan aktori Tom Hanks, që njëkohësisht është edhe një agjent i shërbimeve amerikane.

Në një intervistë për emisionin «Express» të KTV-së, Caka më herët kishte deklaruar i lumtur që kishte rastin të punonte me një regjisor si Steven Speilberg dhe me një aktor si Tom Hanks.

Në film poashtu luajnë aktorët Amy Adams dhe Alan Alda.

«Për mua është me rëndësi që publiku të arrij ta kuptoj marrëdhënien e këtij avokati me klientin e tij, e cila i kalon të gjitha politikat dhe rregullat normale të shoqërisë. Historia e filmit shkon përtej ideologjive të zakonshme të cilat në njëfarë mënyre i ndajnë këto dy shtete gjatë luftës së ftohtë, si dhe e sjellë anën më humane të së vërtetës duke treguar sa është e rëndësishme të komunikosh në mënyrën e duhur dhe ti shfrytëzosh fjalët për të arritur diçka, duke mos i lënë anash principet tua si njeri», është shprehur Spielberg në premierë.

«Bridge of Spies» do të filloj së shfaquri nëpër kinema amerikane nga mesi i muajit tetor.