Shesheli tallet me Gjykatën e Hagës në një program televiziv

Pasi politikani nacionalist serb Vojisllav Sheshel talli Gjykatën e Hagës duke u hequr si gjyqtar në një program televiziv, kjo e fundit nxori një paralajmërim të ri për seancat e tij të ardhshme të apelit.

Vojisllav Shesheli në programin «Zadruga», TV Pink. Foto: TV Pink/video.



Gjykata e Hagës paralajmëroi të hënën Vojisllav Sheshelin se nëse nuk paraqitet për seancat e tij të apelit, pasi nuk ka marrë pjesë në dhënien e vendimit për të, ajo do t’i caktojë një avokat mbrojtës, pavarësisht nëse dëshiron ose jo ai.

Paralajmërimi i Gjykatës së Hagës erdhi pasi Shesheli, kreu i Partisë Radikale Serbe, talli përsëri gjykatën e OKB-së duke veshur rrobën e një gjyqtari dhe duke dhënë «dënime» në një program reality në televizionin pro-qeveritar Pink të shtunën.

«Më thuaj, a ka ndonjë flamur të Bashkimit Europian diku këtu rrotull? Unë dua të di nëse do të më duhet ta djeg sonte», tha Shesheli kur u shfaq në programin e titulluar «Zadruga» (Kooperativa), duke iu referuar një incidenti të vitit të kaluar kur ai dogji flamurin e BE-së dhe atë të NATO-s.

Shesheli iu bashkua përkohësisht programit një ditë pasi një pjesëmarrës i rregullt u arrestua nën dyshimin se kishte vrarë të shoqen, këngëtaren e njohur Jelena Marjanoviq.

Politikani nacionalist foli hapur për çështjen, duke treguar ato që ai pretendonte se ishin detaje nga hetimi i vrasjes.

Ai më pas veshi një rrobë të ngjashme me atë që veshin gjyqtarët e Hagës dhe ndërmjetësoi midis konkurrentëve të programit reality.

Megjithatë, pjesëmarrja e tij në program shkaktoi zemërim tek disa nga ndjekësit e tij.

«Ai njeri është çmendur. Për orë me radhë pashë mbrojtjen e tij para Gjykatës së Hagës dhe mendoja se ishte njeri i ditur», shkroi një burrë në faqen e Facebookut të Sheshelit.

«Shpresoj vetëm që kjo të mos jetë asgjë më shumë sesa një pjesëmarrje për vetëm një herë, sepse hyrja e Sheshelit në «Kooperativa» do të thotë se Partia Radikale Serbe po shndërrohet në një shfaqje cirku», thuhej në një koment tjetër.

Por disa e mbrojtën kreun e Partisë Radikale: «Të gjithë këta ‘moralistët e mëdhenj’ natyrisht do të ndjekin TV Pink-un nesër dhe do të shikojnë ‘Kooperativën’ – hipokritët», tha një mbështetës.

Shesheli po pret apelin e prokurorisë në çështjen kundër tij për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe rajonin serb të Vojvodinës, pasi Gjykata e liroi atë nga të gjitha akuzat në mars të vitit të kaluar.

Ai u shpall i pafajshëm për përndjekje, dëbim, torturim, shkatërrim dhe plaçkitje në periudhën prej gushtit 1991 deri në shtator 1993.

Shesheli ka qenë në Beograd që nga lirimi i përkohshëm i tij nga paraburgimi në Hagë në nëntor të vitit 2014 pasi u lirua për t’u kuruar nga kanceri.

Ai nuk u paraqit për vendimin në gjyqin e tij, por iu kthye jetës politike në Serbi dhe u zgjodh anëtar i parlamentit. Ai është zotuar të mos kthehet kurrë në Hagë.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë tha të hënën se Shesheli «ka të drejtë të jetë i pranishëm në seancën e ardhshme të apelit dhe se prania e tij është e nevojshme».

Më tej theksohet se Shesheli ka thënë se «nuk e ka ndërmend të kthehet në Hagë edhe për vendimin e apelit».

Ai tha se dhoma e apelit «duhet të marrë masat e duhura për t’u siguruar që interesat e tij të përfaqësohen në seancën e ardhshme dëgjimore të apelit për të garantuar një sjellje të drejtë dhe të shpejtë të procedurave gjyqësore» dhe kështu do të caktojë një avokat që ta përfaqësojë, nëse ai nuk vjen në gjykatë ose nuk organizohet të marrë pjesë nëpërmjet një lidhjeje me video.

Në vitin 2015 Shesheli u shfaq edhe në një shfaqje tjetër televizive pas lirimit të tij për trajtim mjekësor.

(https://www.reporter.al/shesheli-tallet-me-gjykaten-e-hages-ne-nje-program-televiziv/)