Shërbimi Sekret Gjerman po fokusohet në Ballkan për t’iu kundërvënë aktiviteteve vahabiste të Arabisë Saudite

Sipas gazetës «Berliner Zeitung» Shërbimi Sekret Gjerman është i alarmuar për shkak të tendencave të Arabisë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit Persik për të përkrahur fanatikët fetarë në Ballkan.

Bruno Kahl, shef i BND-së. Foto: Hanns Seidel Stiftung



Shërbimi Sekret Gjerman (BND) është fokusuar kohëve të fundit në disa vende të Ballkanit dhe sidomos në Bosnjë-Hercegovinë për t’iu kundërvënë aktiviteteve të shteteve të Gjirit Persik, të cilat kanë për qëllim të përkrahin fanatikët fetarë. Siç shkruan gazeta «Berliner Zeitung» në numrin e së martës, BND po bashkëpunon me shërbime të tjera. Si mbështetëse e madhe e vahabistëve në Bosnjë-Hercegovinë konsiderohet Arabia Saudite. Qëllimi i këtij shteti është të eksportojë versionin e tij rigjid të islamit. Mes shteteve pasardhëse të Jugosllavisë Bosnjë-Hercegovina është shteti më fragjil. Nga ky vend qindra të rinj i janë bashkuar të ashtuquajturit «Shtet Islamik».

Në një fjalim të mbajtur para dy javësh në «Fondacionin Hanns Seidel» në München shefi i BND-së, Bruno Kahl, tha se fuqi shtytëse e politikës ndërkombëtare janë ndryshimet demografike. Këto ndryshime shkaktojnë valë refugjatësh dhe ndikojnë në krijimin e shteteve të dobëta, të cilat mund të bien pre e luftërave civile dhe të shërbejnë si vende ku tërhiqen dhe operojnë terroristët. Kahl deklaroi: «Indeksi i Shteteve Fragjile për vitin 2016 në këtë kontekst nga pikëpamja gjermane ofron një pamje pak inkurajuese. Aty Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia renditen në kategoritë <Warning> deri në <High Warning>. Kjo nuk domethënë se në këto vende është shkatërruar shtetësia. Por, me gjasë ajo nuk i përshtatet atyre standardeve, të cilat ekzistojnë në Europën perëndimore dhe të mesme – dhe të cilat nga Indeksi i Shteteve Fragjile vlerësohen si <Sustainable> dhe <Stable>».

Në fjalimin e tij në München shefi i BND-së ka folur edhe për Rusinë. Kahl e ka quajtur këtë vend «rrezik potencial». Ai përshkroi ambiciet e Rusisë për të shtuar ndikimin në vendet e BE-së dhe shtroi pyetjen nëse Perëndimi është i aftë t’i kundërpërgjigjet këtyre kërcënimeve. Kahl tha se nuk ka ndonjë shenjë se raportet me Rusinë do të përmirësohen nën drejtimin e Vladimir Putinit. Ambiciet e Rusisë, sipas Kahl, do të shtohen. Shefi i BDN-së theksoi se pas manovrave verore Rusia ka modernizuar armatimin dhe komandën e forcave ushtarake. Sipas tij stacionimi i trupave dhe niveli i ripërtëritjes janë zhvillime «shqetësuese». Rusia, shtoi ai, po përpiqet të marrë një rol udhëheqës në kontinentin europian, duke dobësuar BE-në dhe zmbrapsur SHBA-të. Qëllimi, sipas Kahl, është të futet një pykë mes BE-së dhe Amerikës. «Që ta themi qartë: në vend se të jetë partner për sigurinë europiane, Rusia më shumë është rrezik potencial. Moska është kthyer si protagonist i politikës botërore dhe do të mbetet fqinj i parehatshëm». Kahl tha se Europa duhet të mendojë nëse pozicionimi i NATO-s dhe i Perëndimit është i mjaftueshëm për të kundërshtuar këto potenciale kërcënimi.