Shërbëtorja e beut

Foto: Shutterstock



Kujtova se dora e thatë,
Që shtrihet për një kafshatë
T’ulun në njimijë mallkime,
S’do të jetë e thame
E dorë fukaraje
N’ato saraje.

Kujtova se barku i thatë,
Që ka për ditë e natë
Shoqe të pandame urinë,
S’do të jetë i ngjitun për shpinë
E bark fukaraje
N’ato saraje.

Kujtova që s’do të jem viktimë
Me trup të thamë e të ngrimë,
Me vuejtje si nana ime
Në rini me kokë të thime
E shpirt fukaraje
N’ato saraje.

Por s’e dijta
Që së bashku me rinin
E zezë si lëkura ime,
Do ta la dhe virgjininë
Pa kurrfarë faje
N’ato saraje.

E sot nji za e ndiej –
Zanin e shpëtimit tonë:
„Oj shpinë e krrusun
Prej shekullit të zi,
Ngrehu edhe nji herë,
Pashë kujtimet e tua
Që janë mbush me vner;
Shikoje kët yll të ri,
Që t’shëndrit përpara,
Ec mbas tij
Se të prin e mbara!“

Po. Shpresa
E andrrueme në saraje
U hodh në greminë
E sot e pres pleqninë
Me ditë ma të gëzueme.