«Shërbëtori i dy zotërinjve» premierë në Prizren, Ernest Malazogu cilësohet si ajka e aktrimit

Intrigat, interesi dhe dashuria, në qendër të saj me një shërbëtor, i cili duke u munduar t’u shërbejë dy zotërinjve për të përfituar sa më shumë, shkakton aq shumë ngarkesa sa gati çon personazhet e tjera në tragjedi.




Ky ishte tregimi që u inskenua të mërkurën mbrëma në skenën e Teatrit Profesionist të Prizrenit nëpërmes komedisë «Shërbëtori i dy zotërinjve», të autorit italian, Carlo Goldoni, e cila është shkruar kah mesi i shekullit të 18-të.

Për këtë shfaqje Teatri i Prizrenit ka bashkëpunuar me regjisorin nga Shkupi, Kushtrim Bekteshi, i cili vlerësohet si një nga regjisorët mjaft të mirë të gjeneratës së re. Ndërkaq, në shfaqje luajnë: Ernest Malazogu, Xhejlane Tërbunja, Muhamet Arifi, Afrim Muçaj, Alban Morina, Zanë Duraku, Fetah Paçarizi, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi dhe Alban Çela.

Ernest Malazogu paraqitet pikërisht në rolin e shërbëtorit dhe loja e tij pothuajse në çdo moment shkaktoi qeshje dhe u duartrokit vazhdimisht nga audienca e pranishme.

Një reagim pozitiv i tillë i publikut erdhi, sepse shumë thjesht, siç tha Malazogu për emisionin «Express» të KTV-së, shfaqja është e mirë.

Në rolin e njërit prej zotërinjve paraqitet aktori Afrim Muçaj.

Ky realizim teatror ishte një debutim për aktoren Hajat Toçilla.

Shfaqja zgjat rreth dy orë e gjysmë dhe shumë shpesh kur një shfaqje zgjat kaq di të shkaktojë monotoni të madhe. Por, regjisori tha se e ka pasur parasysh këtë gjë. Bekteshi u shpreh i kënaqur me produktin final, dhe për më tepër pati lëvdata edhe për publikun që ishte i pranishëm në premierë.
Për regjisorin Agim Selimi, Teatrit i Prizrenit me shfaqjen «Shërbëtori i dy zotërinjve» e ka dhënë një provim të madh. Selimi kishte komplimente edhe për trupën e aktorëve.
«Shërbëtori i dy zotërinjve» do të jepet reprizë sonte dhe nesër nga ora 20:00 dhe më pas do të prezantohet në Festivalin e Teatrove në Ferizaj.