Shenjtëria mbi shina

Ditari zviceran (9): Treni në Zvicër nuk është vetëm mjet për të lëvizur nga pika A në B. Treni është pjesë e identitetit nacional.

Foto: Shutterstock



Një zviceran për çdo vit udhëton mesatarisht 2258 kilometra me tren. Askush në rruzullin tokësor nuk udhëton më shumë me tren se zvicerani. Dhe zvicerania. Ndërtimi i hekurudhave e ka bërë Zvicrën shtet modern, ka ndikuar që pjesë të vendit të ndara nga kodrat e larta të lidhen mes vete dhe kështu të krijohet një ndjenjë e përbashkët, e cila është baza e kombit zviceran, ndonëse në kuptimin bashkëkohor komb zviceran nuk ka, më së shumti ekziston një komb zviceran prej vullnetit.

Një banor të maleve të kantonit Uri nuk e lidhte dikur pothuaj asgjë me një qytetar të Gjenevës. Është treni që ndërkohë i ka lidhur pjesët më të largëta të Zvicrës, duke i bërë bashkë zviceranët që flasin gjermanisht (me dhjetëra dialekte), ata që flasin frëngjisht, ata që flasin italisht dhe ata që flasin gjuhën retoromane. Treni ka mundësuar jo vetëm transportin e shpejtë të udhëtarëve, por edhe të mallrave, duke e bërë industrinë e Zvicrës konkurruese në tregun ndërkombëtar.

Deri në fund të shekullit ’19 kantonet zvicerane nuk arritën të merren vesh për të ndërtuar një rrjet hekurudhor në mbarë vendin. Secili kanton vepronte sipas motos: «Toka ime, hekurudha ime». Më 1898 u organizua një referendum («Hekurudha zvicerane i takon popullit zviceran») dhe qytetarët vendosën të themelojnë kompaninë e transportit hekurudhor SBB. Ky rrjet është bërë aq i dendur ndërkohë, saqë 63 për qind e mallrave transportohen me tren, përfshirë edhe kamionët nga bota e jashtme, sidomos Europa veriore, të cilët në Zvicër ngarkohen në trena transportues dhe dërgohen në Itali. Kështu mbrohet ambienti, zvogëlohet zhurma e llahtarshme e kamionëve nëpër rrugët e Zvicrës, po ashtu minimizohet rreziku i aksidenteve.

Treni në Zvicër është pjesë e identitetit nacional po aq sa edhe autobusët e verdhë, të cilët menaxhohen nga posta zvicerane. Mbi 2000 autobusë mbajnë 798 linja kudo në Zvicër, e sidomos në pjesët malore. Kështu për çdo vit 121 milionë pasagjerë arrijnë në caqe, të cilat nuk kanë qasje në rrjetin hekurudhor. Disa nga këta autobusë të verdhë të postës zvicerane i shohim edhe në rrugët e Kosovës – një dhuratë nga Zvicra.

Udhëtimi me tren në Zvicër kushton një dreq e gjysmë. Bileta vjetore e trenit, me të cilën mund të udhëtoni në tërë Zvicrën, kushton rreth 3700 franga, afërisht 12 rroga mesatare në shumicën e vendeve të Ballkanit. Nëse keni një qen, i cili është më i madh se 30 centimetra, atëherë duhet të paguani biletë edhe për katërkëmbëshin e dashur. Saktësia e lëvizjes së trenave është impozante: vetëm 4,2 për qind e trenave nuk arrijnë me kohë në cak.

Bileta vjetore e trenit ka një përparësi të madhe: me të mund të udhëtoni jo vetëm me tren, por edhe me autobus dhe me anije nëpër liqenet e shumta të Zvicrës. Shumica e teleferikëve ofrojnë zbritje të ndjeshme nëse keni biletë vjetore. Për turistët atraktive janë sidomos vijat hekurudhore në pjesët alpine të Zvicrës, të cilat mundësojnë pamje spektakulare të natyrës, përfshirë edhe perëndimin mahnitës të diellit dhe mahnitjen me akullnajat, të cilat, fatkeqësisht, po shkrihen centimetër pas centimetri për shkak të ndryshimeve klimatike.

Në Zvicër gjendet stacioni hekurudhor më i lartë në Europë: Jungfraujoch, 3454 metra lartësi mbidetare. Dhe ky nuk është atraksioni i vetëm i rrjetit hekurudhor zviceran. Kur udhëton njeriu me tren, ka kohë të mendojë. Shikimi përkëdhel kodrat e kantonit Graubünden, liqenin e Luzernit, vreshtat e Lausannes dhe mendja të shkon te një vizion: një linjë supermoderne hekurudhore mes Prishtinës dhe Tiranës, me trena supermodernë të kompanisë zvicerane Stadler, të cilët lidhin dy kryeqytetet më shpejt se e ashtuquajtura «Rruga e kombit», një simbol i plaçkitjes së buxhetit andej e këndej. Po të bëhej realitet ky vizion nga Prishtina në Tiranë do të arrinim për dy orë. Ndërsa të pini një kafe dhe të gllabëroni një qese me kikirik, do të dëgjoni një zë anonim duke paralajmëruar mbërritjen në Tiranë. Nga aty, po deshët, mund të vazhdoni rrugën me tren për në Durrës. Teorikisht për dy orë e gjysmë kosovari i etur për det mund të jetë, për shembull, në Qerret. Atëherë s’do të ketë as debate për autobusët nga Kosova, me të cilët turistët kosovarë duan të hyjnë në banesat e tyre të ngushta në plazhin e Durrësit.