Shënime për Srebrenicën: plaga, pastaj qyteti

Qindra varre të hapura, të mbijetuar që rrinë pranë kufomave (apo çfarë ka mbetur nga trupat e masakruar), jehona e lutjeve, kolona e veturave me targa të pothuaj të gjitha vendeve të Europës, ku kanë gjetur strehim njerëzit e Srebrenicës...

Kufoma të masakrës së Srebrenicës para ceremonisë së varrimit. Foto: Reuters

1.
Çdo vit, më 11 korrik, në Srebrenicë përkujtohen viktimat e masakrës së kryer nga forcat serbe më 1995. Çdo vit varrosen kufomat që janë identifikuar në 12 muaj e fundit në një ish-fabrikë në Tuzëll. Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari deri më tani janë varrosur mbi 6 mijë viktima, qindra të tjerë pritet të identifikohen në vitet në vijim. Se kur do të varroset viktima e fundit vështirë të parashikohet. Forcat serbe kanë vrarë në Srebrenicë rreh 8 mijë veta.

2.
Ceremonia e varrimit çdo vit është ngjethëse. Qindra varre të hapura, të mbijetuar që rrinë pranë kufomave (apo çfarë ka mbetur nga trupat e masakruar), jehona e lutjeve islame, kolona e veturave me targa të pothuaj të gjitha vendeve të Europës, ku kanë gjetur strehim njerëzit e Srebrenicës (supozohet se ata sot jetojnë të shpërndarë në mbi 80 vende – nga Amerika në Europë dhe tutje në Australi). Kështu, pak a shumë, duket Srebrenica më 11 korrik. Krimi masiv në Srebrenicë është kualifikuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi.

3.
«Tani jemi këtu, më 11 korrik 1995, në Srebrenicën serbe. Në këtë mbrëmje në prag të një feste të madhe serbe po ia dorëzojmë këtë qytet si dhuratë popullit serb. Më në fund ka ardhur çasti që pas kryengritjes kundër dahive (jeniçerëve renegatë, v.j.) të marrim hak kundër turqve të këtij rajoni». (Gjenerali Ratko Mladiq më 11 korrik 1995 pas hyrjes në Srebrenicë me ushtrinë e tij). Njëjtë si çetnikët e Drazha Mihajloviqit në Luftën e Dytë Botërore edhe Mladiqi foli për hakmarrjen, duke u bazuar në fjalën e «urtë» serbe: «Ko se ne osveti, taj se ne posveti», që i bie: «Kush s’merr kah, i shenjtë s’mund të bëhet». Në lidhje me hakmarrjen Mihajloviq kishte thënë: «Të mos hakmerresh domethënë të pranosh vlerën e ulët të racës. Vetëm hakmarrja kolektive dhe e organizuar do të ketë efektin e hakmarrjes së racës. Hakmarrja është çështje e nderit të racës serbe».

4.
Përballë Qendrës Përkujtimore në Potoçari gjendet një ish-fabrikë akumulatorësh. Gjatë korrikut të vitit 1995 kjo fabrikë u shndërrua në kasaphanë: këtu seleksionoheshin burrat boshnjakë, torturoheshin, vriteshin, masakroheshin. Sot fabrika është një monument historik. Kush ka ecur nëpër këtë fabrikë pas një kohe fillon t’i shikojë muret, duket se kanë sy, duan të tregojnë çfarë kanë parë…

5.
«Republika Srpska është krijuar në një zonë në të cilën kurrë nuk ka ekzistuar një shtet serb! Ky është kontribut historik (…). Përgjatë Drinës nga Zvorniku në Foçë kurrë nuk ka ekzistuar një shumicë serbe, por ata (serbët e Bosnjës, v.j.) i morën të gjitha», deklaroi Slobodan Milosheviqi në dhjetor 1995 në një takim me udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë në Beograd.

6.
«Zotërinj, i kemi dy opsione. Një: të luftojmë me mjete politike, të fitojmë sa të mundemi nga gjendja aktuale, si hap i parë; ose t’i ndërpresim bisedimet dhe të bëjmë atë që e kemi bërë me shekuj: ta marrim me dhunë territorin e shtetit tonë» – Momçilo Krajishnik, kryetar i parlamentit të serbëve të Bosnjës.

7.
Potoçari gjendet nja 10 kilometra para Srebrenicës. Ata që shkojnë të vizitojnë Srebrenicën kalojnë së pari nëpër Potoçari. Së pari shihet plaga, pastaj qyteti. Është një qytet i vrarë, në të cilin, si të dielën në mbrëmje, defilojnë të rinj serbë me vetura, me flamuj të Serbisë dhe të Republika Srpska, me çirrje «Srbija, Srbija», shoqëruar me muzikë popullore, zhanri turbo-folk, nga fasadat përshëndet vojvoda Vojislav Sheshel.

8.
Regjistrimi i popullsisë i vitit 2013 ka treguar se në Srebrenicë jetojnë mbi 50 për qind boshnjakë, rreth 45 për qind serbë. Por këto janë shifra fiktive. Shumica e boshnjakëve vetëm janë të regjistruar si banorë të Srebrenicës, por jetojnë gjetiu, në Sarajevë, në Tuzëll apo në botën e jashtme. Në fillim të viteve ’90 gati 80 për qind e banorëve të komunës së Srebrenicës ishin boshnjakë, siç e quajnë veten myslimanët në kuptimin nacional. Ndërkohë përbërja etnike e komunës ka ndryshuar, me gjasë shumicën e përbëjnë serbët. Të dielën ata siguruan edhe postin e kryetarit të qytetit. «Në jetën time ekzistojnë tri data të cilat do të dëshiroja të mos kishin ndodhur kurrë: korriku ’95, korriku 2010, kur u zhgroposën dy djemtë e mi dhe burri, dhe mëngjesi i djeshëm kur është mundësia aq reale që kryetar i Srebrenicës të bëhet dikush për të cilin as që është dashur të mendohet se do të jetë», tha Hatixha Mehmedoviq, njëra nga nënat e Srebrenicës. Edhe udhëheqja në Sarajevë, me në krye Bakir Izetbegoviqin, po shtiret sikur ndihet keq për humbjen e Srebrenicës. Kjo shtirje mund të zgjasë jo më shumë se një javë, pastaj vazhdon, si deri më tani, plaçkitja e shtetit.