Shën Devollët dhe 40 hajdutët

Edhe rreth 30 milionë euro nga arka e shtetit për kompaninë Devolli. Pse jo? Misioni i ri po lë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Foto: Shutterstock



Do të ishte e padrejtë të thuhet se kompania Devolli dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk ia duan të mirën Kosovës. E para e mban popullin me qumësht, e dyta…

Nocioni korrupsion është aq jotransparent sa strukturat, në të cilat lulëzon korrupsioni. Transparency International kështu e definon korrupsionin: «Korrupsioni është keqpërdorim i pushtetit të besuar për dobi apo favore private». Pranimi dhe dhënia e ryshfetit, blerja e vendimeve politike duke ua mbushur xhepat politikanëve, kurdisja e tenderëve dhe format e tjera të grabitjes së pasurive publike quhen – korrupsion. Korrupsioni nuk shkakton vetëm dëme materiale, por shkatërron edhe themelin e shoqërisë. Për korrupsion janë fajtorë ai që jep ryshfet dhe tjetri që kërkon ryshfet. Të dyja palët nuk kanë interes që biznesi apo marrëveshja e tyre të zbulohet. Kjo është e kuptueshme – dy hajdutë mbrojnë veten dhe sistemin prej të cilit ushqehen.

Do të ishte e padrejtë të thuhet se kompania Devolli dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk ia duan të mirën Kosovës. E para e mban popullin me qumësht, e dyta…

Para një viti u dha ky lajm: «Kompania <Devolli Group> përkatësisht brendi <Vita>, gjatë dy javëve të fundit, i ka gëzuar rreth 65’000 fëmijë me dhurata për këtë fundvit. Fëmijët që iu gëzuan dhuratave ishin në shkollat fillore, klasat e para deri në të pestën si dhe kopshtet publike dhe private. (…) Shpërndarja e dhuratave është bërë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan. Gjatë shpërndarjes së dhuratave prezent ka qenë edhe djali i Vitës». Kush është djali i Vitës? Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Hajredin Kuçi? Për fat të keq mediat kosovare nuk na kanë treguar ende kush është djali i Vitës. «Dev-oğlu» nëse përkthehet nga turqishtja në shqip i bie djali i gjigantit, i viganit.

Do të ishte e padrejtë të thuhet se kompania Devolli dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk ia duan të mirën Kosovës. E para e mban popullin me qumësht, e dyta…

Më 8 shtator 2014 në mediat kosovare jehoi titulli: «Devolli Corporation fton për konkurrencë të ndershme». Po, pra! Urdhëroni, konkurrencë të ndershme me «Z Mobile», urdhëroni konkurrencë të ndershme në fabrikën e amortizatorëve në Prishtinë, urdhëroni konkurrencë të ndershme në çdo fushë të biznesit në Kosovë. Sepse, siç thekson «Devolli Corporation», «ruajtja e vlerave më të çmuara familjare dhe tradicionale mbesin në thelbin e misionit të kompanisë Devolli Corporation». Edhe misioni i ri i PDK-së këtë e synon: «Familja, prona, shteti». Shteti i pronës familjare.

Në Tiranë Hashim Thaçi paskësh dhënë haberin: «Nuk ka komb kosovar». Ashtu është. Në fakt nuk ka as komb shqiptar. Ekziston vetëm «kombi devollian» dhe babai i këtij kombi, i cili paradite viziton varreza për të dhënë mesazhe të shpifura për pajtim, ndërsa pasdite mban ligjërata në provincën e Tiranës. Në Paris, në Berlin, në Londër, në Varshavë, në Pragë, në Bernë nuk po e presin kryetarin e Devollistanit, as 40 hajdutët e afërt me të. Fama e Shën Devollëve nuk po e kapërcen gardhin iliro-pellazg, përveç kur po zhvillohen procese në gjykata arbitrazhi për të marrë edhe ndonjë copë me mish nga vegshi i pushtetit kosovar.

Do të ishte e padrejtë të thuhet se kompania Devolli dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk ia duan të mirën Kosovës. E para e mban popullin me qumësht, e dyta…

Korrupsioni në Kosovë është vetëm perceptim. Këtë e tha kryeministri. Përse të mos i besojmë. Këtë po e thonë edhe analistët që i rrinë në gjunjë PDK-së në pritje të ndonjë kocke. Korrupsioni në Kosovë është vetëm perceptim: për këtë janë të bindur edhe zagarët e shoqërisë së pacivilizuar civile të kafehaneve të Prishtinës, ku përtypja e lugës së plastikës pas pirjes së makiatos është akt i mendjemprehtësisë filozofike. Po thonë mediat se kompania «Devolli» do të marrë nja 30 milionë euro nga arka e shtetit. Kështu paskësh vendosur një Gjykatë Arbitrazhi në Vjenë në një kontest në lidhje me «Z Mobile». Është e pakuptueshme që mediat merren me këso temash. Fundja, këtu s’ka ndodhur asgjë e keqe. Bëhet fjalë vetëm për një transaksion të zakonshëm, të përditshëm: nga arka e shtetit në arkën e Devollëve. A ka ndonjë dallim mes këtyre arkave?

Do të ishte e padrejtë të thuhet se kompania Devolli dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk ia duan të mirën Kosovës. E para e mban popullin me qumësht, e dyta…