Shefi i Partisë së Gjelbër gjermane: «Në Kosovë ka korrupsion në përmasë të padenjë për Europën»

Cem Özdemir, i cili përmendet edhe si ministër i ardhshëm i Jashtëm i Gjermanisë, ka kërkuar intervenimin e Perëndimit në Rusi – dhe ka folur për shtetin e Kosovës, të cilin, sipas tij, shumëkush e quan të dështuar.

Cem Özdemir, kryetar i Partisë së Gjelbër gjermane.

Kryetari i Partisë së Gjelbër gjermane Cem Özdemir i ka bërë thirrje Perëndimit të mos qëndrojë indiferentë ndaj luftës në Siri. Në një intervistë për «Spiegel Online» Özdemir ka deklaruar se armata e Bashar al-Asadit po masakron popullsinë civile, po ngufat çdo shkëndijë te humanizmit, e cila mund të ekzistojë në një luftë, domethënë e drejta humanitare ndërkombëtare. «Dhe Rusia po kujdeset që vdekja të vazhdojë. Vladimir Putini kurrë nuk e kishte si qëllim mposhtjen e Shtetit Islamik. Ai dëshiron ta mbajë në pushtet një kriminel masiv, i cili në të vërtetë e ka vendin para Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë», deklaroi Özdemir, i cili është deputet në Bundestag, parlamentin gjerman. Özdemir përmendet si kandidat i mundshëm për postin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Në pyetjen e «Spiegel Online» se përse po ngurron Perëndimit të intervenojë në Siri, kur dihet se më 1999 ka ndërhyrë në Kosovë pa mandat të OKB-së, Özdemir u përgjigj: «Nuk jam pacifist radikal. Mendoj ende se ka qenë gabim që Gjermania nuk ka marrë pjesë në intervenimin në Libi dhe e kam përkrahur angazhimin në Afganistan. Por për të qenë të sinqertë ndaj vetes duhet bërë edhe një bilanc kritik. Intervenimi në Irak ishte i përgatitur me gënjeshtra, në vijim aty gjeti fole Shteti Islamik. Në Kosovë sot ka korrupsion në përmasë të padenjë për Europën, romët përndiqen, disa thonë se Kosova është shtet i dështuar. Nëse ka një mësim nga e kaluara, atëherë ky: me rëndësi nuk është vetëm ndalmi i dhunës, por edhe një plan për kohën pastaj. Kush intervenon, duhet të jetë i gatshëm të angazhohet një kohë të gjatë për siguri, të drejta të njeriut, rritje ekonomike dhe mirëqenie».

Özdemir tha se atë çfarë po bën Rusia në Siri tashmë e ka bërë në Çeçeni. Politikani gjerman bëri thirrje për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë. «Ka shumë mundësi. Opsioni më i keq është të mos bëjmë asgjë. Në Gjermani duhet të ndërpresim projektin ruso-gjerman për transportim të gazit Nord Stream 2 nëse Moska nuk lëshon pe. Po ashtu duhet të diskutojmë se si mund të pengojmë që regjimi sirian të përdorë forcat ajrore».

Në pyetjen nëse Gjermania duhet të bojkotojë Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi, Özdemir u përgjigj: «Bojkoti nga ekipet individuale nuk më duke i dobishëm. Problemi është te praktika e FIFA-s. Unë mendoj se është tepër e dyshimtë që një ngjarje gazmore të organizohet nga një vend (si Rusia), i cili në mënyrë masive përkrahë mendësinë e ekstremit të djathtë të Frontit Nacional në Francë dhe kriminelet masivë, me para apo mjete ushtarake. Një vend ku minohen në mënyrë sistematike të drejtat e grave, të homoseksualëve, vlerat liberale. Personalisht kam simpati për idenë që të mos shkohet në Kampionatin Botëror në Rusi. Shoqëria civile ruse ka nevojë për përkrahjen tonë, jo një shou propagandistik i Putinit». (-lli)