Shefi i Komisionit Evropian do provojë ta zgjidhë krizën në Maqedoni

Kuvendi i Maqedonisë nuk arrinë të zgjedhë kryetarin e ri të tij. Deputetët e VMRO-DPMNE-së polimizojnë ndërmjet vete dhe me të tjerët, duke kërkuar të zbardhet marrëveshja mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Deputetët shqiptarë i hedhin benzinë zjarrit të ndezur nga VMRO-DPMNE rreth deklaratës së përbashkët të partive shqiptare të cilën ata e quajnë «Platforma e Tiranës».




Pas mossuksesit të komisarit për zgjerim Johannes Hahn, i cili u injorua nga presidenti Gjorgji Ivanov, krizën në Maqedoni do të provojë ta zgjidhë kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk. Ai të hënën do të qëndrojë në Shkup, ndërsa Ivanov kësaj radhe ka njoftuar se do t’i hapë dyert e Villës në Vodno për kreun më të lartë të BE-së. Mediat maqedonase kanë njoftuar se zyrtari më i lartë evropian do t’i thotë presidentit maqedonas se duhet të marrë përgjegjësi dhe sipas rezultatit zgjedhor të lejojë formimin e qeverisë së re.

Kjo vizitë realizohet në një kohë kur në Maqedoni rezultuan të pasuksesshme përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit më të lartë ligjvënës në vend. Që nga dita e hënë ende nuk është votuar përbërja e komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emrim, komision i rëndësishëm dhe kusht për zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit. Për këtë post partitë që kanë krijuar shumicën e re parlamentare, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë dorëzuar një propozim duke shfrytëzuar mënyrën alternative, me 20 nënshkrime. Por ky propozim as që është hapur, pasi zgjedhja e kreut të kuvendit është caktuar si pikë e katërt në rendin e ditës së seancës konstituive, ndërsa para saj ndodhet pika për konstituimin e komisionit për zgjedhje dhe emrim.

Për katër ditë radhazi nga 57 deputetë të paraqitur për diskutim, kanë arritur të diskutojnë vetëm tre. Replikat dhe kundërreplikat, si dhe keqpërdorimi i ndërhyrjeve procedurale e ka zvarritur debatin, i cili, nëse vazhdon me këtë tempo, do të kërkojë edhe muaj të tërë për të përfunduar. Deputetët e kuvendit të Maqedonisë tanimë kanë devijuar edhe nga tema që kanë në rend të ditës dhe i gjithë debati zhvillohet rreth deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, të cilën VMRO-DPMNE e quan «Platforma e Tiranës». Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë bërë edhe replika dhe kundërreplika mes vete, duke pamundësuar kështu përfundimin e debatit parlamentar dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Ata thonë që do të vazhdojnë me tempon e njëjtë, deri sa të shohin se çfarë përmban saktësisht marrëveshja e LSDM-së me partitë shqiptare në bazë të së cilës është krijuar shumica e re parlamentare.

Deputetët shqiptarë i hedhin zjarrit benzinë?

Këtij zjarri edhe më shumë benzinë i kanë hedhur deputetët shqiptarë. Këta të fundit në disa raste kanë arsyetuar dhe mbrojtur deklaratën, ndërsa paraqitjet e tyre VMRO-DPMNE i ka vlerësuar si dëshmi se ekziston e ashtuquajtura «Platforma Shqiptare», me çka kanë akuzuar LSDM-në se ka pranuar federalizimin e shtetit, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. «Dilemat duhet të hiqen dhe të mos bëhen pikë politike ditore dhe të mos ngriten tensionet mes dy etniteteve shumicë që e përbëjnë këtë vend. Kjo është program dhe platformë e partive politike shqiptare dhe zgjidhja e të gjitha problemeve të tjera do të kontribuojë në demokratizimin e shoqërisë së Republikës së Maqedonisë», tha deputeti nga radhët e BDI-së, Ejup Alimi. Ai më pas në foltoren e kuvendit lexoi deri në pikën e fundit Deklaratën e përbashkët të partive shqiaptare. Pas përfundimit të fjalimit, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija DImovski, e falemenderoi atë për, siç u shpreh ai, konfirmimin e platformës shqiptare ndërkohë që deputetët e tjerë të VMRO-DPMNE-së duartrokitën deputetin e BDI-së.

«E para, platformë ka, platformë ka! Ua lexoi zoti Ejupi, për çfarë unë i falënderohem. Zotëri Veljanovski, kërkoj stenogramin nga fjalimi i zotëri Ejupit, ta marrin të gjithë deputetët, edhe ata të cilët deri dje mendonin se nuk ka», tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski. Pas tij, në një fjalim tjetër para kuvendit, deputeti i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, u mundua ta arsyetojë platformën, duke ndalur në pikën më të nxehtë, rezolutën për gjenocidin ndaj shqiptarëve. «Realiteti është që kanë kaluar mbi se 16 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe e njëjta nuk është respektuar. Realiteti është që ne duhet të hapim jo vetëm gjenocidin e atyre viteve që përmenden në deklaratë, po ju duhet të flitni edhe për gjenocidin që ua bëtë familjes Zeqiri në Radishan. E vërteta është që ju akoma keni tendenca gjenocidale ndaj një populli të tërë», tha Sela.

Edhe Sela mori falemenderime, kësaj radhe nga deputeti tjetër i VMRO-DPMNE-së, i cili e shfrytëzoi edhe këtë fjalim për të forcuar akuzat ndaj LSDM-së dhe zvarritur debatin parlamentar. «Nëse zoti  Zoran Zaev gënjen se nuk ekziston platformë për të cilën ka marrëveshje dhe e cila është e pranuar nga Tirana, zoti Ejup Alimi nuk gënjen. Nëse zonja Shekerinska gënjen se nuk ka bisedime për rezolutë për dënim të gjenocidit ndaj shqiptarëve, zoti Ejup Alimi nuk gënjen. Nëse zoti Zaev gënjen se nuk është biseduar për ndryshim të kushtetutës, ligjit të riorganizimit territorial, të kantonizimit, zoti Zijadin Sela nuk gënjen», tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Nga Lëvizja Besa dolën me akuza ndaj VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për ekzistimin e një skenari për bllokimin e Kuvendit. Deputeti Zeqirja Ibrahimi akuzoi BDI-në se po ndihmon VMRO-DPMNE-në, duke i dhënë më shumë alibi për të arsyetuar veprimet e tyre destruktive dhe në dëm të të gjithë procesit. «E shihni se si këta të BDI-së janë marrë vesh me këta të VMRO-së që të sabotohet puna e sabotimit të Kuvendit. Ata u japin arsye për punën e platformës, për punën e gjuhës, e për çështje të tjera, që këta pastaj të mund të bëjnë reagime dhe ju të akuzoheni se keni pranuar platformën. Unë e shoh se kjo është një marrëveshje mes deputetëve të BDI-së dhe të VMRO-së që të zgjatet kjo punë dhe ky kuvend të duket një cirk, e jo si kuvend», tha Zeqirja Ibrahimi nga Lëvizja Besa.

Kjo parti përndryshe ka refuzuar të mbështetë kandidatin e shumicës parlamentare për kryetar kuvendi, Talat Xhaferin, me arsyetimin se ai ka qenë i dënuar me gjashtë muaj burg me kusht në vitin 2008 për një incident në procesin zgjedhor. Por nga kjo parti kanë thënë se mbeten në qëndrimin se mbështesin shumicën parlamentare dhe qëndrojnë pas nënshkrimeve që i kanë dhënë Zoran Zaevit për të marë mandatin për formimin e qeverisë.

Deputeti i LSDM-së: Nuk ka platformë, VMRO pyet cila palë gënjen?

Gjatë katër ditëve të debatit parlamentar, deputetët e LSDM-së kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në se po trillon alibi për të shpëtuar funksionarët e koruptuar nga burgu. Por në ditën e katër, njëri nga deputetët e partisë së Zoran Zaevit, nga foltorja e kuvendit hodhi poshtë çdo mundësi të përfshirjes së «Platformës Shqiptare» në programin e ardhshëm qeveritare. Deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, tha se nuk ekziston asnjë platformë e tillë, duke numëruar madje në mënyrë decide edhe disa nga pikat e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, për të cilat tha se nuk janë në programën qeveritare.

«Kjo është programa veveritare, hyni lexojeni. Nëse gjeni gjuhën shqipe në uniforma, gjuhën shqipe në denarë, ndryshim steme, flamuri, himni; nëse gjeni rezolutë për gjenocid, na thoni. Nuk ka dicka të tillë. Nuk ka platformë. Dhe mirë që më ma kujtuat në fillim: ‹No Platforma›, tha Tuntev. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dimitar Stevananxhija, i cili duke rikujtuar fjalimet e deputetëve të BDI-së ku përmendnin deklaratën e partive shqiptare, pyeti se kush gënjen në këtë situatë. «Kush gënjen tani, këto në të djathtë (BDI) apo ju në të majtë (LSDM)?», tha mes tjerash deputeti i partisë së Nikolla Gruevskit. Nga LSDM nuk u përgjigjën, por deputeti i këtij koalicioni, Goran Misovski, kërkoi nga kryesuesi i mbledhjes që të vë në rend dite votimin e kryetarit të kuvendit. Ndërkaq nga BDI heshtën, duke mos u paraqitur asnjë deputet për fjalim.

Debati pritet që të vazhdojë edhe ditët në vazhdim me tempo të njëjtë.