Shefat e medias proqeveritare nën akuzë për evazion fiskal në Maqedoni

Prokuroria e Posaçme e Maqedonisë nisi katër hetime të reja për dyshime për krime financiare, ky përfshihen si të dyshuar një ish asistent ministri dhe dy kryeredaktorë mediash proqeveritare.

Prokurorët e Posaçëm të Maqedonisë. Foto: MIA



Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Maqedonisë, e cila është ngarkuar me detyrën për të hetuar krimet dhe korrupsionin e nivelit të lartë, nisi katër hetime të reja të enjten.

Çështjet që tërhoqën më shumë vëmendjen e publikut kanë emrat kod «Total» dhe «Tifani» në të cilat të dyshuarit janë prezantuesit televizivë proqeveritarë Dragan Pavloviq dhe  Ivona Talevska, mbi të cilët rëndojnë dyshimet për evazion fiskal të kryer përmes kompanive të menaxhuara prej tyre.

Në çështjen e parë, Pavloviq, i cili është kryeredaktor në televizionin kombëtar Sitel TV, dyshohet se ka bërë evazion fiskal në shumën 120 mijë euro në taksa për kompanitë e marketingut Total Marketing, Total Media Centar dhe Mediamaks, në të cilat ka qenë apo vijon të jetë administrator.

Prokurorët po e hetojnë edhe me dyshimin se nuk ka paguar 60 mijë euro të tjera në taksa personale.

Në rastin e dytë, Talevska, kryeredaktore e gazetës së përditshme Večer, dyshohet se ka bërë evazion fiskal në masën 37 mijë euro përmes kompanive Smart Centar dhe Smart Group.

Taleska, si administratore e këtyre firmave, dyshohet më tej se nuk ka paguar taksa personale për 16 mijë euro.

Prokurorët besojnë se përgjatë shumë viteve, të dyshuarit kanë përdorur fondet e kompanive për blerje personale të mallrave të luksit si orë të shtrenjta, mobilje e të tjera, duke i deklaruar këto shpenzime në mënyrë të rreme si blerje për llogari të kompanive. Disa nga këto kompani nuk janë më aktive.

BIRN u përpoq të kontaktonte Pavloviq dhe Talevska për komente. Pavlovic nuk qe i disponueshëm ndërsa Talevska kërkoi që pyetjet të dërgoheshin me SMS, të cilave nuk iu përgjigj.

Rasti i tretë i hetuar quhet «Trista», një ish këshilltar ministri, i cili akuzohet për shkelje të shumta të ligjit mboi prokurimin publik, veçanërisht për blerjen e 300 makinave për policinë dhe për nënshkrimin e kontratave të mirëmbajtjes

Rasti i katërt, me emrin «Tabla» i përket një shkolle në fshatin Zajas pranë Kërçovës për të cilën dyshohet se është kontraktuar pa tender një kompani për 200 mijë euro për rikonstruksionin e shkollës.

Në fillim të konferencës për shtyp, një pjesë e kameramanëve refuzuan të xhirojnë në shenjë proteste ndaj asaj që e quajnë presion nga prokuroria mbi disa media.

Prokurorja Lence Ristoska hodhi poshtë pretendimet duke thënë se nëse disa nga të dyshuarit janë të lidhur me median, kjo nuk do të thotë se vetë mediat janë nën shënjestër.

(Botuar fillimisht nga https://www.reporter.al/shefat-e-medias-proqeveritare-nen-akuze-per-evazion-fiskal-ne-maqedoni/)