SHBA mohon se diplomati amerikan i premtoi Serbisë mosnjohje të Kosovës

Departamenti Amerikan i Shtetit hodhi poshtë pretendimet serbe se diplomati amerikan Richard Holbrooke i shkroi Millosheviqit duke premtuar se Uashingtoni nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Departamenti Amerikan i Shtetit. Foto: Wikimedia/APK



Departamenti Amerikan i Shtetit ka mohuar pretendimet e Serbisë në lidhje me një letër të diplomatit Richard Holbrooke ku pretendohet se i shkruante ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq në 1998/9, duke u angazhuar se Shtetet e Bashkuara «nuk do ta njohin kurrë Kosovën».

«Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Nuk ekziston një letër të tillë», shkroi Departamenti Amerikan i Shtetit në një email për BIRN.

Ivica Daçiq, ministri i jashtëm serb, i tha gazetës serbe «Srpski Telegraf» më 15 gusht se ndërsa Holbrooke dërgoi një letër ku premtonte se Shtetet e Bashkuara «nuk do ta njohin kurrë Kosovën», letra më vonë u zhduk dhe u vodh.

Ai u citua të thoshte se sekretarja e Millosheviqit «betohet se ky e ka thirrur dhe i ka dhënë një letër që e kishte nënshkruar kryenegociatori i atëhershëm ndërmjet Perëndimit dhe Serbisë, Holbrooke, ku thoshte se Amerika nuk do ta njohë kurrë Kosovën», tha Daçiq. Ai i akuzoi partitë opozitare në Serbi për vjedhjen e dokumentit.

Në përgjigjen e dhënë për BIRN, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se statusi i Kosovës si shtet i pavarur ishte i qartë në sytë e SHBA-së. «Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 100 vende të tjera e njohin Kosovën», tha DASH.

«Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen te e ardhmja. Ato duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar nëpërmjet bisedimeve të dialogut të udhëhequr nga BE për normalizimin e marrëdhënieve, që do t’i sillte përfitim stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe do të ndihmonte në përparimin e pranimit të të dyja vendeve në BE», shkruan Departamenti i Shtetit.

Daçiq gjithashtu shtoi se asnjë institucion shtetëror nuk është në zotërim të kopjes origjinale të Marrëveshjes së Dejtonit të 1995, që i dha fund luftës në Bosnje.

Departamenti i Shtetit e kundërshtoi edhe këtë, duke thënë se Marrëveshja e Dejtonit është publike.

Më 17 gusht, Srpski Telegraf njoftoi përmes një lajmi se policia serbe kishte nisur një hetim për dokumentet e zhdukura. Megjithatë, BIRN nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur këtë lajm.

Holbrooke vdiq në vitin 2010. Së bashku me Carl Bildt të Suedisë, ai ndërmjetësoi marrëveshjen që çoi në fundin e luftës 1992-95 në Bosnje-Hercegovinë. Pas përfundimit të luftës, presidenti Bill Klinton e emëroi atë si të dërguarin e tij të posaçëm në Ballkan, ku ai drejtoi bisedimet që synonin zgjidhjen e luftës në Kosovë. Në vitin 1999, ai udhëtoi në Beograd për t’i dorëzuar Millosheviqit ultimatumin përfundimtar të Perëndimit përpara fillimit të sulmit të NATO-s, i cili i dha fund sundimit serb në Kosovë.

(https://www.reporter.al/shba-mohon-se-diplomati-amerikan-i-premtoi-serbise-mosnjohje-te-kosoves/)