SHBA-ja shpenzoi 4 miliardë dollarë për luftë, «Shteti Islamik» vazhdon të forcohet




SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë ndërmarrë 6.700 sulme ajrore, të cilat kanë kushtuar afërsisht katër miliardë dollarë në një periudhë njëvjeçare, që kur presidenti i SHBA-së, Barack Obama, nisi fushatën e armatosur kundër «Shtetit Islamik».

 

Kjo organizatë terroriste, megjithatë, nuk është duke dhënë sinjale se po mposhtet, teksa madje edhe ka zgjeruar kapacitetet e veta, shkruan sot «Koha Ditore».

Obama më 10 shtator të vitit 2014 kishte nisur, siç theksoi, «një strategji gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë antiterroriste, me qëllim të degradimit dhe shkatërrimit përfundimtar të ‘Shtetit Islamik’», teksa dronët amerikanë dhe aeroplanët luftarakë qysh nga gushti i vitit të kaluar janë duke qëlluar caqet e «Shtetit Islamik», pasi që ajo organizatë vrau dy gazetarë amerikanë, të cilët i mbante si pengje.

Strategjia, e lansuar nga presidenti i SHBA-së, ka katër drejtime: një fushatë sistematike të sulmeve ajrore, mbështetje të përforcuar për njësitet në luftën këmbësorike kundër terroristëve, pengim të sulmeve të «Shtetit Islamik» në pjesë të tjera dhe ndihmë humanitare për civilët e zhvendosur shkaku i sulmeve terroriste.

Sipas të dhënave zyrtare të Pentagonit, SHBA-ja dhe aleatët e saj që nga tetori i vitit të kaluar kanë ndërmarrë 53.278 fluturime, me qëllim të mbështetjes së operacioneve në Irak dhe Siri, krahas 6.700 sulmeve ajrore.

Në sulme janë shkatërruar rreth 10.000 caqe të «Shtetit Islamik», përfshirë tanke dhe automjete, istikame dhe objekte të industrisë së naftës.

Ndonëse nuk është i njohur numri zyrtar i viktimave, vlerësohet se që nga maji kanë qenë më shumë se 8.500.

Shpenzimet e fushatës janë vlerësuar në 9.9 milionë dollarë në ditë, përkatësisht 3.7 miliardë dollarë që nga gushti i vitit 2015.

Në sulmet ajrore amerikane, ashtu si edhe në sulmet e «Shtetit Islamik», jetën e kanë humbur më shumë se 3.000 civilë, përfshirë më shumë se 70 fëmijë në Siri, është bërë e ditur nga të dhënat e Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.