SHBA e sheh si qendër spiunazhi «qendrën humanitare» ruse në Nish

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e thellë ndaj qendrës për ndihma humanitare ruse në Serbi, të cilën analistët dhe grupet e studimeve ushtarake në Perëndim e shohin si maskim rus të bazës së spiunazhit të Kremlinit kundër interesave amerikane në Ballkan.

Hoyt Brian Yee.



Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee, e ka diskutuar çështjen e «të ashtuquajturës qendër humanitare» në Serbi gjatë javës me senatorët në Capitol Hill. Yee ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për shkak të bazës ruse në Nish, në afërsi të kufirit të Serbisë me Kosovën, «jo për shkak të rolit aktual, por se çfarë mund të bëhet me të nëse Rusia e merr atë që po e kërkon nga Serbia, që është njëfarë statusi special, status të mbrojtjes diplomatike ose imunitetit».

Duke folur gjatë një interpelance në Senat për ndikimet e jashtme dashakeqe në Europën Juglindore. Yee ka deklaruar: «Ne nuk besojmë se Rusia ka qëllime të mira nëse e shohim prej prizmit tonë të vrojtimit, në kontekstin tonë, që është për të ndihmuar Ballkanin që të afrohet edhe më shumë me qëllimin e tij për integrim në Europë».

«Ne besojmë se Rusia po mundohet ta parandalojë këtë shteg», ka deklaruar Yee, duke iu përgjigjur pyetjes së senatorit Chris Murphy, senator nga Connecticuti.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë punuar për vite me radhë për të ofruar paqe në Ballkan dhe për integrimin e tij në bashkësinë euroatlantike të shteteve. Çdo shtet në fqinjësi të Serbisë është ose anëtar i NATO-s ose dëshiron t’i bashkohet Aleancës Veriatlantike.

Qendra ruse në Nish, e hapur më 2012 në afërsi të aeroportit, është në afërsi të forcës prej katër mijë trupash paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, ish-krahinë e Serbisë që shpalli pavarësinë më 2008. Në mesin e trupave të stacionuara në Kosovë janë edhe 600 amerikanë.

Shqetësimet e ngritura për stacionimin e rusëve në Serbi kanë ardhur për shkak të drojës se baza mund të bëhet qendër spiunazhi e Rusisë, qendër që do të kishte qëllim kryesor frenimin e procesit të integrimit të rajonit dhe të zgjerimit të NATO-s në këtë pjesë të Europës. Rusia gjithnjë e ka përkrahur Serbinë në refuzimin e saj për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

Kontrolli serb

Yee i Departamentit amerikan të Shtetit ka kundërshtuar fuqishëm mundësinë e dhënies së status të imunitetit diplomatik misionit rus që është vendosur në bazën e Nishit.

«Ne besojmë se kjo është shumë e rëndësishme», ka theksuar Yee para senatorëve. «Dhe këtë ia kemi thënë edhe Qeverisë serbe, sepse Serbia duhet të ketë kontroll të plotë të territorit të vet dhe të qendrave që ndodhen në territorin e saj. Nëse e lejon Rusinë që të ketë njëfarë qendre speciale spiunazhi ose aktivitete të ngjashme qëllimkëqija, do të humb kontroll në një pjesë të territorit të vet». Rusia ia ka hedhur poshtë pretendimet se po synon krijimin e një baze ushtarake në Serbi.

Demokratët dhe republikanët amerikanë në Senat kanë qasje të njëjtë kur vjen puna te kundërshtimi i orvatjeve ruse për rritjen e ndikimit të vet në Ballkan. Senatori Ron Johnson, republikan nga Wisconsin, ka deklaruar për «Zërin e Amerikës» se ai mendon që Moska «po bën çmos që ta destabilizojë rajonin dhe t’i frenojë» shtetet e rajonit nga qëndrimet e tyre pro-perëndimore. Johnson ka deklaruar se Mali i Zi, anëtari më i ri i NATO-s dhe një prej ish-republikave jugosllave që kufizohet me Kosovën, është shembull i ndërhyrjes ruse.

Puçi i dështuar

Prokurorët në Podgoricë e kanë akuzuar Rusinë dhe agjentët e saj se kishin financuar dhe ndihmuar një puç që u provua të kryhej në tetor në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi. Puçistët kishin synim ta vrisnin kryeministrin Milo Gjukanoviq me qëllim që të frenoheshin orvatjet malazeze për t’iu bashkuar Aleancës Veriatlantike.

Njëzetë të dyshuar janë akuzuar për lidhje me grusht shtetin e të cilët edhe janë arrestuar. Fuqitë perëndimore dhe agjencitë e inteligjencës kanë akuzuar Rusinë për përfshirje në përpjekjen për rrëzimin e Qeverisë së Malit të Zi. Gjukanoviqi, socialist që dha dorëheqje prej postit të kryeministrit dhjetë ditë më vonë, ka thënë se «ka dëshmi të fuqishme se kishte një faktor të jashtëm» në zhvillimet e fundit politike në vend. Kremlini i ka cilësuar si «absurde» të gjitha akuzat kundër tij. Prokurorët në kryeqytetin malazez kanë thënë se Rusia «kishte gisht më shumë se veç të përzihej» në zgjedhjet e fundit. Nëse do të funksiononte plani rus, do të ishte një «akt lufte», kanë vlerësuar ata.

Johnson, shef i Nënkomitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat për Europë dhe bashkëpunim rajonal, ka thënë se amerikanët dhe europianët duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe rajonit të Ballkanit. «Kemi mundësi të mrekullueshme për t’i integruar ato shtete në Bashkimin Europian dhe në demokracitë perëndimore», ka deklaruar senatori amerikan. «Nëse nuk tregojmë lidership, nëse nuk i kushtojmë vëmendje, mund të rrëshqasin lehtësisht nën dominimin e Rusisë».

Sanksionet

Senatori nga Wisconsin ishte një prej 98 senatorëve që kanë votuar këtë javë për fuqizimin e sanksioneve amerikane kundër Rusisë. Ai dhe Murphy kanë dalë në interpelancë, duke theksuar se pritjet për shkurtime buxhetore të Departamentit të Shtetit duhet të lihen mënjanë derisa të mos ketë një plan përfundimtar të shpenzimeve amerikane. «Duhet të përçojmë mesazh të qartë te Rusia se nuk mund të vazhdojë me këtë mënyrë agresioni, me përpjekjet e tyre për destabilizim, për përzierje në zgjedhje anembanë botës, përfshirë edhe këtu në Amerikë», ka deklaruar Johnson. (Zëri i Amerikës)