Shaqiri: «Në Rusi duam të arrijmë diçka historike»

Xherdan Shaqiri flet mbi sukseset e ekipit kombëtar të futbollit të Zvicrës, shpjegon përse futbolli në Angli është më atraktiv se në Gjermani dhe Itali - dhe tregon se është mësuar nga nëna e tij të lajë edhe rrobat.

Xherdan Shaqiri. Foto: Shutterstock



Pas kualifikimit në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi Xherdan Shaqiri demonstron vetëbesim të madh. Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane «Aargauer Zeitung» futbollisti me origjinë nga Kosova tha se cilësia e kombëtares së Zvicrës është shumë më e mirë se më herët. Shaqiri thotë se ekipi zviceran në Rusi duhet të arrijë një sukses historik dhe të kualifikohet përtej të tetës së finales.

Shaqiri ka folur në këtë intervistë edhe për zhvillimin e tij brenda ekipit. «I takoj atyre që më së gjati janë këtu (në ekip). Jam zhvilluar më tutje, në aspektin njerëzor dhe sportiv. Sa më shumë që arrin, aq më të mëdha pritjet. Jam prijës i ekipit, sidomos për shkak të përvojave të mia. Statistika po ashtu nuk gënjen dhe ajo thotë se jam golashënuesi më i mirë i ekipit».

Shaqiri ka lavdëruar trajnerin Vladimir Petkoviq për punën e tij. «Ai e di saktësisht si duhet të sillet me ne. Komunikimi i tij është më i rëndësishmi. Ai flet shumë më lojtarët, por edhe para ekipit. Ai është shumë më komunikativ se trajnerët e tjerë. Kjo e dallon. Fakti se flet disa gjuhë është një plus shtesë». Megjithatë, Shaqiri nuk e ka fshehur faktin se ndihet i zhgënjyer që nuk është emëruar njëri nga kapitenët e ekipit.

Shaqiri ka folur edhe për përvojën e tij në ekipin e Interit në Milano. «Shumë njerëz mendojnë se atje gjithçka ka qenë keq, por nuk është ashtu. (…) Familja ka qenë afër, klubi në kufi me Zvicrën. Vetëm futbolli jo. Nuk ka qenë aq atraktiv».

Lidhur me angazhimin në Stoke Shaqiri tha: «Ata më kanë ofruar çfarë më është dashur: minuta për të luajtur, një top-ligë dhe top-infrastrukturë. Në Gjermani kam arritur gjithçka. Kam vendosur kështu sepse Premier League më ka tërhequr përherë si liga më e mirë e botës. Këtu kam dashur të dëshmoj veten, sepse kush ia del këtu, është lojtar i mirë». Shaqiri tha se për dallim nga Gjermania, ku Bayerni i Münchenit dominon gjithçka, liga angleze është më kompetitivja – secili mund të mposht secilin.

Shaqiri ka folur edhe për përditshmërinë e tij. Për shembull ka treguar se ka një pastruese që ia pastron banesën dhe rrobat, por «kur ajo e ka të lirë, më duhet vetë të lajë rrobat. Dhe këtë punë e kam mësuar. E kam mësuar nga nëna ime. Kur nuk di diçka, e thërras në telefon». (dp)