Shaqiri: «Çka nëse Kosova më bën ofertë të jem kapiten?»

Xherdan Shaqiri është i zemëruar që nuk është emëruar kapiten i Zvicrës. Në bisedë me gazetarë zviceranë ai e ka lënë hapur mundësinë të luajë për Kosovën.

Foto: AGIF / Shutterstock.com

Si në fushën e futbollit ashtu edhe jashtë saj Xherdan Shaqiri mbetet i pakontrollueshëm. Në lojë është i rrezikshëm për shkak të shkathtësisë mahnitëse të driblimit, në bisedë me gazetarët ai gjithnjë e më shumë koketon me një temë që në Zvicër dhe në Kosovë zgjon emocione të mëdha: a do të luajë ai për Kosovën tani që vendi ku është lindur është pranuar në FIFA dhe UEFA?

Në bisedë me gazetarë zviceranë në kampin e lojtarëve helvetikë në Francë Shaqiri sërish e ka ndezur debatin mbi planet e tij për të ardhmen. Sipas gazetës «Aargauer Zeitung» Shaqiri është pyetur se si do të sillet kur në fund të verës Kosova do të fillojë kualifikimet për Kampionatin Botëror? Ai është përgjigjur kësisoj: «Secili e di se unë jam lindur në Kosovë. Andaj jam gëzuar për lajmin e pranimt në FIFA dhe UEFA. Momentalisht nuk kam çka të them apo të vendosë. Por po ua bëj një kundërpyetje: ˂Çka nëse më thërret trajneri i Kombëtares së Kosovës dhe më thotë se mund të bëhem kapiten? Çfarë do të bënit ju? Kjo është pyetje e vështirë. Por unë kam dhënë gjithçka për Zvicrën. Dhe këtë do ta bëj edhe në të ardhmen».

Shaqiri nuk e ka fshehur kurrë se është dëshpëruar qëtrajneri Vladimir Petkoviq nuk e ka emëruar kapiten të ekipit zviceran. Në grupin e kapitenëve janë Lichtsteiner dhe Behrami. Në bisedë me një gazetar të së përditshmes bulavardeske «Blick» Shaqiri është pyetur për Kosovën dhe ka deklaruar: «Kurrë s’i dihet çka bën vaki në jetë». Gazeta spekulon se Shaqiri nuk ka problem me faktin që kapiten i parë është Lichtsteiner, i dyti Behrami. Problemi duket se ka që kapiten i tretë është cakuar Xhaka. Para disa ditësh Shaqiri kishte deklaruar: «Secili dëshiron të jetë kapiten. Për nga hierarkia unë jam në krye. Unë do të duhej të isha te kapitenët. Sigurisht që jam i dëshpëruar».

Shaqiri ka luajtur deri më tani 54 herë për Zvicrën dhe ka shënuar 17 herë. Në tetë ndeshjet e fundit për Kombëtaren e Zvicrës ai ka dhënë 5 gola dhe 4 i ka përgatitur. Edhe golin kundër Shqipërisë të shtunën e ka bërë gati Shaqiri. (-lli)