Shansi për ringjallje në çastin e këputjes së shpresave

Shikoni skandalet brenda pak ditësh dhe do të vëreni në ç’batak ka rënë Kosova. Ose edhe më mirë: mos shikoni fare, sepse s’shihni gjë të re. Përdoreni votën për ndryshime të mëdha. Sepse këtë vend nuk duhet lënë në duar të njerëzve që krejt karrierën e tyre politike dhe krejt ëndrrat i reduktojnë në tenderë. Për këtë strukturë Kosova është tender, për qindra-mijëra njerëz vend ku duan dhe duhet të jetojnë. Atdhe.



Diku në shënimet e tij Faik Konica e humb kontrollin. Në epokën në të cilën jetoi kjo ishte njerëzore, e logjikshme, e pritshme, e kuptueshme. Një intelektual i shkolluar në Francë dëshpërohej me prapambetjen e vendit të tij, me primitivizmin e jo pak njerëzve, sidomos politikanëve, andaj Faik Konica shkruante: «Ç’është liria? Dua të marr shpatën e t’u çaj kokën gomerëve dhe në vent të trurit t’iu kllas këtë… ç’është liria? Të mos të kisha nisur këtë fletën (vaftë në djall!) s’do të humbja kohën time t’iu mësonjë gomerëve ç’është liria?… Më mirë të shes pleh njeriu se të nis një punë për shqiptarët».

Po të shikohen skandalet e ditëve të fundit që u prodhuan në Kosovë, krijohet përshtypja se si shoqëri po shkojmë drejt fundosjes. Ligjin e kanë marrë në dorë të fortit, ata të ndjekin në vendin e punës, rrugës për në shtëpi, të vijnë para banesës, i bien ziles, duan të të detyrojnë të takohesh me «njerëz të fuqishëm», një kafe, ca llafe për një tender, rroftë Republika e Kosovës.

Shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Blerim Dina, ka kaluar nëpër një ferr. «Njerëz të fuqishëm» i kanë bërë presion të takojë «njeriun edhe më të fuqishëm» për, siç u tha, një tender, me vlerë 20 a 21 milionë, kushedi, por para të majme po se po. I tmerruar nga presioni Dina, sipas «Insajderit», u ka telefonuar fqinjëve që t’i ndihmojnë për t’i marrë fëmijët nga çerdhja. Në çdo vend normal kjo do të ishte tema kryesore e ditës sot. Te ne jo. Pothuaj një shoqëri e tërë preferon heshtjen. Heshtin parti politike, heshtin shumica e mediave, heshtin figura të shoqërisë civile, heshtin deputetë, heshtin intelektualë. Nëse një shoqëri nuk është në gjendje të mbrojë edhe ata pak zyrtarë që nuk duan të nënshkruajnë tenderë me gjasë të kurdisur, atëherë kë është e gatshme ta mbrojë kjo shoqëri? A është kalbur aq shumë çdo ind kryengritës në këtë shoqëri, saqë asgjë, as skandali më i madh, nuk e trondit askënd. Indiferencë totale. Po të kishte Kosova një shef qeverie normal, ai do të shprehte solidaritet me zyrtarin e shtetit, të cilit i është bërë presion. Por, si të solidarizohet kryeministri me zyrtarin e shtetit, kur jo më larg se dje e priti në zyrë «më të fuqishmin e komandantëve», njerëzit e të cilit e «lusnin» shefin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) të pijë një kafe më të, më atë që është mbi ligjin?

Janë bërë zyrat qeveritare fole figurash të rrezikshme politike dhe parapolitike, çerdhe të ngrohta të mashtruesve dhe shantazhuesve, të cilët para se të përfundojnë në qeli shkojnë te kryeministri për të kryer ritualin e përshëndetjes që shihet vetëm në filma mafiozë. Dhe skandalet s’kanë fund. Prokurorë që takohen me njerëz që mund t’i takojnë eventualisht vetëm pasi t’u ngritët aktakuza. Pushtet që u falë rreth 60 milionë euro atyre që do të duhej të ndiqeshin për moskryerje të obligimeve ndaj shtetit. Sundimtarë arrogantë që administrojnë këtë vend sipas parimit «mshoj gjanarski jarani jem». Dhe tellallë pushteti që i kanë thënë lamtumirë çdo parimi dhe me fanatizëm mbrojnë të pambrojtshmen.

Kur vërejmë gjithë këto skandale, atëherë duhet shikuar edhe njëherë se në ç’batak ka rënë Kosova. Ose edhe më mirë: mos shikoni fare, sepse s’shihni gjë të re. Përdoreni votën për ndryshime të mëdha. Të dielën. Në momentet e këputjes së shpresave vjen një çast dhe një shans për ringjallje. Ai shans është edhe të dielën. Nëse shfrytëzohet, mund të hapet edhe një portë për ndryshime më të mëdha. Sepse këtë vend nuk duhet lënë në duar të njerëzve që krejt karrierën e tyre politike dhe krejt ëndrrat i reduktojnë në tenderë. Për këtë strukturë Kosova është tender, për qindra-mijëra njerëz vend ku duan dhe duhet të jetojnë. Atdhe.