Shamia që mbulon të gjithë

Të gjitha vendet e BE-së – pavarësisht se garantojnë të drejtat themelore në sistemet e tyre sekulare – e kanë rregulluar çështjen e bartjes së shamisë në institucione publike varësisht nga veçoritë e tyre politike, sociale, ekonomike e të sigurisë. Në këtë mënyrë, edhe në rastin e Kosovës, rregullimi i kësaj çështje, do të duhej të reflektonte kontekstin dhe argumentet e grupeve të interesit.

Ajo që shpërfaqet secilën herë në raport me «çështjet fetare» në diskursin publik në Kosovë, është mungesa e vullnetit për debat të mirëfilltë. Qoftë nga ata që kundërshtojnë bartjen e shamisë në një institucion publik, qoftë nga ata që e mbrojnë, duke u thirrur në të drejtat e garantuara në një shtet demokratik.

Me debat të mirëfilltë, në këtë rast, nënkuptohet një diskutim gjithëpërfshirës që do të adresonte pikëpyetjet jo vetëm për komunitetin mysliman shumicë në Kosovë, por edhe për të drejtat e garantuara në sistemin demokratik. Nëse këto diskutime nuk përfshijnë institucionet shtetërore, institutet shkencore, akademinë dhe universitetin – ato që janë – debati nuk do të jetë asgjë më tepër se sa çirrje kolektive e bazuar në sharje dhe manipulim. Në këtë situatë, humbësit më të mëdhenj janë pikërisht arsimtare dhe arsimtarë të tillë anekënd Kosovës, të cilët sot kundërshtohen për bartjen e shamisë, nesër do të kundërshtohen për faktin se «mësuesi duket si grua».

Janë dy probleme kryesore me mënyrën se si po (jo)problematizohet ngjarja e arsimtares së matematikës në komunën e Malishevës. I pari lidhet me argumentet nëpërmjet të cilave arsimtares i mbrohet e drejta për bartjen e shamisë në një institucion arsimor. I dyti lidhet me kontekstin politik në të cilin asaj i kundërshtohet kjo e drejtë.

Së pari, arsimtares në fjalë i mbrohet e drejta për bartjen e shamisë në kontekstin ligjor dhe politik në Kosovë. Në mungesë të debatit dhe konsensusit shoqëror për t’i përqafuar «vlerat» liberale e demokratike të vendosura me arbitraritet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një pjesë e reagimit me kaq furi kundër shamisë së arsimtares është, në mes tjerash, edhe rrjedhojë e mospasjes së një debati të gjerë politik e shoqëror për pranimin e vlerave dhe të drejtave të caktuara, debat ky thelbësor në sistemet demokratike.

Segmente të shoqërisë të cilat nuk janë të lidhura drejtpërsëdrejti me zhvillimet shoqërore e politike, si arsimtarët dhe nxënësit në këtë rast, nuk do të jenë në gjendje të bëjnë lidhjen logjike ndërmjet shamisë, në njërën anë, dhe projektit europian për Kosovën i shkrirë në flamurin e kaltër me yje, në anën tjetër. Por ky nuk është mëkati i tyre. Reagime të tilla për «ISIS-in» në shkolla siç u alarmua në videon e Klan Kosovës, do të vazhdojnë të shfaqen në vazhdimësi deri sa nuk do të diskutohet në nivel më të gjerë shoqëror për të drejtën e bartjes së shamisë ose simboleve të tjera fetare në rendin politik e kushtetues. Duhet qartësuar se hendeqe të tilla ndërmjet projekteve elitare në njërën anë dhe pranimit më të gjerë popullor të tyre nuk janë vetëm në rastin e Kosovës, por edhe në vetë vendet e Bashkimit Europian të cilat jepen si pikë referimi në vazhdimësi.

Në vitin 2014, në qytetin e Antwerpenit në Belgjikë, tradicionalisht me votues të ekstremit të djathtë, një mësuese e sistemit parashkollor, e cila bartte shami, u pengua në procesin e punës nga disa prindër nxënësish. Në debatin që pasoi u përfshinë studiues të të drejtave të njeriut, profesorë që merren me studimin e demokracisë dhe sekularitetit, ekspertë dhe praktikues të së drejtës europiane, psikologë e studiues të orientalistikës.

Gabimi më i madh që bëhet në vazhdimësi me «temën e fesë» në Kosovë, është lënia e debatit krejtësisht në hapësirën mediale. Kjo e fundit, duke u përpëlitur të mbijetojë si biznes klikimesh, e krijon debatin si konsum ditor. Në këtë shpejtësi, debati bazohet në opinione dhe perceptime gazetarësh, dhe tek tuk nga ata që mund të konsiderohen «ekspertë» të çështjeve islame apo të sigurisë. Fatkeqësisht, në pjesën më të madhe të rasteve analizat e nxjerra nuk kanë asnjë bazë intelektuale e studimore.

Së dyti, thirrja në pandryshueshmërinë e të drejtës për bartjen e shamisë nga kampi tjetër vihet po ashtu në formë dogmatike, pa krijuar hapësirë që kjo e drejtë – edhe nëse është e pakontestueshme – të diskutohet, dhe rrjedhimisht, edhe të kuptohet nga skeptikët. Dogma qëndron në argumentin se meqë kjo praktikë është e «garantuar në Bashkimin Europian», do të duhej të ekzistonte edhe në Kosovë. Njëlloj si në rastin e krijimit të Kosovës si projektim i «vlerave europiane», edhe ky argument ngulmon në mbylljen e debatit duke u thirrur në praktikën e Bashkimit Europian. Asnjëherë, nuk u dëgjua ndonjë artikulim se si në të vërtetë kjo qenka e rregulluar në ndonjë vend të BE-së. Për më tepër, përtej elementit dogmatik, ky argument është edhe intelektualisht i paqëndrueshëm.

Ashtu si bartja e shamisë në institucione publike, të drejtat e grupeve të caktuara – qofshin këto grupe fetare, seksuale apo politike – janë të rregulluara në forma të ndryshme në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Të marrim rastin e Belgjikës, një nga vendet më të vogla për nga madhësia, e po ashtu një nga vendet me pranueshmërinë më të lartë politike të së drejtës për bartjen e shamisë në institucione publike. Belgjika ka pak më shumë se 10 milion banorë, 60 për qind e të cilëve i takojnë besimit të krishterë. Rreth 5 për qind e popullsisë është e besimit islam. Pjesa frankofone e vendit e ka njohur të drejtën e bartjes së shamisë në institucione publike. Pjesa holandishtfolëse e vendit edhe sot nuk është uniforme ndaj kësaj praktike. Pra, të duhen vetëm 80 kilometra rrugë për t’u përballur me rregulla të ndryshme të bartjes së shamisë në institucione publike.

Kur këto ndryshime janë të dukshme në një vend kaq të vogël të Bashkimit Europian, paramendojeni sa më të fragmentuara janë praktikat e garantimit të së drejtës për bartjen e shamisë në vende si Gjermania, Suedia, Danimarka… e lëre më në 28 vendet e Bashkimit Europian si tërësi. Të gjitha këto vende – pavarësisht se garantojnë të drejtat themelore në sistemet e tyre sekulare – e kanë rregulluar çështjen e bartjes së shamisë në institucione publike varësisht nga veçoritë e tyre politike, sociale, ekonomike e të sigurisë.

Në këtë mënyrë, edhe në rastin e Kosovës, rregullimi i kësaj çështje, më tepër se sa duke marrë shabllon «modele» të gatuara në vendet e Bashkimit Europian, do të duhej të reflektonte kontekstin dhe argumentet e grupeve të interesit. Kësaj para se gjithash, edhe njëherë, duhet t’i prijë një debat gjithëpërfshirës. Përtej kakofonisë mediatike me «opinionistë» të gjithanshëm.