Shamia e fundamentalistëve

Mbulesa totale myslimane jo vetëm që është përbuzëse ndaj njerëzve, ajo domethënë edhe fitore përfundimtare e islamit të politizuar. Burka, nikabi dhe çadori duhet të ndalohen. Shumica e shkencëtarëve të islamit duket se pajtohet se as shamia islamike, e cila mbulon flokët, as mbulesa gjithëtrupore nuk kanë të bëjnë asgjë më fenë.

Ilustrimi: Shutterstock



Kur Parlamenti francez para disa vitesh vendosi të ndalojë bartjen në publik të burkës (mbulesës gjithëtrupore myslimane, v.j.), socialistët, komunistët dhe të gjelbrit abstenuan, me përjashtim të 20 deputetëve nga radhët e tyre. Në debatin për shaminë duket se fronti politik në të gjitha vendet europiane është i njëjtë: të majtit anojnë nga toleranca, konservatorët dhe liberalët nga ndalimi. E popullsia? 82 për qind e francezeve dhe francezëve përkrahën atëbotë ndalimin e burkës. Po ashtu shumica e 6 milionë myslimanëve në Francë mbështetën ndalimin e burkës. Kjo i përgjigjet edhe atmosferës te popujt e vendeve perëndimore.

Në të ardhmen një grua, e cila në Francë shfaqet totalisht e mbuluar, duhet të llogaris me një gjobë prej 150 euro dhe një kurs në dituri shoqërore. Burrat që «detyrojnë» gratë e tyre të mbulohen me burka u kërcënohet një vit burg dhe gjoba deri në tre mijë euro – ndonëse kjo është vetëm teori e pastër. Sepse një grua, e cila është aq e nënshtruar, saqë pranon të zhduket në vrimën e zezë të mbulesës gjithëtrupore, zor se do të ketë guximin ta padisë burrin e saj për shkak të detyrimit për të bartur burkën.

Kur në vitin 2009 në Francë filloi debati për burkën, një debat që u iniciua nga një prefekt komunist, toleruesit e burkës theksuan fillimisht se në mbarë vendin ekzistojnë vetëm 165 bartëse të burkës, prandaj një ndalim qenkësh jorelevant. Ndërkohë numri i tyre në statistikën zyrtare ka arritur në dy mijë. Bie në sy se së paku çdo e treta femër e mbuluar në Francë është konvertite. Zakonisht burrat e tyre myslimanë falë martesës me to kanë marrë shtetësinë franceze.

Kështu është edhe në rastin e algjerianit Lies Habaxh. Gruaja totalisht e mbuluar dhe franceze e tij Anne nxiti debatin mbi burkën në Francë. Një polic asaj i kishte shqiptuar një gjobë për shkak se drejtonte veturën me nikab, me mbulesën totale të kokës, e cila i lë të hapur vetëm sytë përmes një prerjeje të vogël. Burri i saj është mbështetës aktiv i sektit misionar Tablig. Kasapi nga qyteti Nantes një kohë të gjatë është vëzhguar nga shërbimi sekret francez, sepse prej vitesh rregullisht qëndronte me javë të tëra në Pakistan.

Përndryshe Habaxh ka edhe tri bashkëshorte të tjera, me të cilat nuk është i martuar sipas ligjit francez, por sipas atij islamik. Kur drejtësia synoi ta padiste atë për poligami, ky njeri me gjasë mirë i përgatitur doli në opinion dhe shpjegoi se edhe shumë burra francez, të cilët kanë dashnore, duhet të paditen. Lies Habaxhi assesi nuk është një besimtar naiv, por një islamist që agjiton me taktikë, për të cilin gjoba për gruan e tij ishte tamam sipas qejfit të tij, sepse qëllimi i tij ishte provokimi i shtetit juridik.

Pikërisht ashtu sikur gjermano-afgania Fereshta Ludin, e cila për tetë vite me radhë kishte paditur deri në gjykatën më të lartë për të drejtën për të bartur shaminë në shkollë. Ose si në rastin e të ashtuquajturës «aferë e shamisë», e cila në vitin 1989 u bë temë në Francë. Atëbotë prindër dhe xhaxhallarë politikisht aktiv në mënyrë provokative kishin mbuluar me shami tri vajza të vogla dhe i kishin dërguar në shkollën laike – dhe në këtë mënyrë nxitën debatin disavjeçar, në të cilin pothuaj e gjithë e majta u prononcua për shaminë.

Filozofia Elisabeth Badinter, bashkëshorte e ish-ministrit francez të drejtësisë, atëbotë ishte një ndër zërat e paktë nga e majta, që u angazhua kundër shamisë në shkolla, e cila u ndalua 19 vjet në vonë. Ajo fliste për «mendjen e mbuluar». Edhe kur u ndalua burka vite më parë Badinter ngriti zërin dhe shkroi një letër të hapur për bartëset e burkës: «A jemi në sytë tuaj aq të përbuzshme dhe të papastra, që ju refuzoni çdo kontakt, çdo raport me ne, madje deri në një buzëqeshje të lehtë?», pyeste ajo dhe vazhdonte: «Në të vërtetë ju po i shfrytëzoni liritë demokratike, për të suspenduar lirinë. Kjo është një shuplakë për të gjitha motrat tuaja të shtypura, të cilave për këto liri, të cilat ju i përbuzni, u kërcënohet dënimi me vdekje».

Në fakt është vështirë e kuptueshme se si femrat vullnetarisht mund të mbulohen, të cilave në «shtetet e zotit» dhe në të gjitha shtetet ku ndërkohë kanë pushtetin islamistët, mbulesa atyre u imponohet me kërcënime me vrasje. Në këto shtete femrat nuk kanë zgjidhje tjetër. Edhe brenda komuniteteve të sunduara nga islamistët në mes të Europës për myslimanët nuk është aq lehtë.

Por, si është puna me konvertitet, të cilat janë rritur në vendet ku paraardhëset e tyre me aq shumë përpjekje kanë arritur barazinë – nga e drejta e votës deri te e drejta e dukjes në hapësirën publike? Motivet e tyre duket se janë frika nga liria dhe përgjegjësia personale si dhe mazohizmi femëror si pasojë e shtypjes së gjatë reale dhe poshtërimit të gjinisë femërore.

Por motivet subjektive të vajzave dhe grave, të cilat në demokraci «vullnetarisht» futen nën shami apo mbulesë gjithëtrupore, janë vetëm një rrafsh dhe – përndryshe – të shumëllojshme dhe të ndryshueshme – nëse mund të thuhet se këto gra fare kanë lirinë e brendshme dhe të jashtme të ndryshojnë mendimin. Rrafshi i dytë, ndërkaq, pra rëndësia objektive e shamisë, është i qartë: shamia dhe çadori edhe në botën myslimane kanë qenë relikte të popullsisë fshatare dhe të prapambetur – derisa Homeini në Iran shpalli shtetin e zotit. Që nga atëherë shamia është flamuri i islamit të politizuar dhe mbulesa gjithëtrupore është fitorja totale e tij.

Shumica e shkencëtarëve të islamit duket se pajtohet se as shamia islamiste, e cila mbulon flokët, as mbulesa gjithëtrupore nuk kanë të bëjnë asgjë më fenë. Por, sinqerisht, këtë çështje unë e shoh si të parëndësishme për debatin tonë. Sepse nuk duhet të ndodhë që ne në shtetin juridik t’i pranojmë si realitet tekstet, të cilat janë shkruar për interesa religjioze apo politike para disa shekujve apo mijëvjeçarëve – madje edhe atëherë kur ato shkelin të drejtat më elementare të njeriut. Me myslimanet shamibartëse në vendet tona ne gjithsesi duhet të bisedojmë dhe nuk duhet të përballemi me to përmes ndalesave. Por në kopshte fëmijësh, në shkolla dhe në administratën publike shamia, e cila nuk është shenjë fetare, por politike, nuk duhet të ketë vend. Kësaj duhet shtuar se për shumë vajza myslimane nga familjet ortodokse dhe fundamentaliste do të ishte një lehtësim i madh sikur shamia të mos i stigmatizonte ato së paku në shkollë nga «të tjerët», të mos i pengonte në lirinë e lëvizjes dhe të mos i ndante nga djemtë sikur ata të ishin krijesa nga planetët e ndryshme. Përmes hapësirës së lirë të quajtur shkollë ne këtyre vajzave do t’u jepnim shansin që një ditë vërtet të vendosin vetë.

Mbulesa gjithëtrupore, ndërkaq, nuk duhet të ketë vend në demokraci. Ai e privon gruan nga çdo individualitet dhe e pengon në mënyrë të vrazhdë në lirinë e lëvizjes. Burka dhe nikabi janë thellësisht përbuzëse ndaj njerëzve. Jo vetëm për gratë e mbyllura në burgjet e tyre prej stofi, por edhe për burrat, të cilëve u vishet se ata si kafshë i vërsulen çdo gruaje nëse e shohin vetëm një flok apo një copë trup.

Në Gjermani ishte raportuar në pothuaj të gjitha mediet me shpoti mbi debatin francez mbi burkën. A nuk kanë francezët probleme të tjera? Sidoqoftë ne nuk kemi probleme të tilla!, thuhej me këtë rast. Thuhet se te ne (në Gjermani, v.j.) nuk ka gra që bartin burka apo nikab. Më falni, por kjo më habit. Prej kohësh unë gjatë çdo shëtitjeje në qendër të Köln-it shoh së paku dy, tri gra totalisht të mbuluara, kryesisht në shoqëri të burrave të veshur me xhinsa. Edhe sa do t’i mbyllim ne sytë para këtyre paraqitjeve të skllaveve?

Kur Franca në vjeshtë 2008 miratoi ndalimin e shamisë në shkolla për mësuese dhe nxënëse, udhëheqësi i Al-Kaidës Abu Musab Abdul Vadud u kërcënua me këto fjalë: «Në emër të nderit të vajzave dhe motrave tona ne do t’i hakmerremi Francës. Sot është çadori, nesër nikabi». Vadud dhe luftëtarët e tij të zotit duket se e kanë seriozisht.

Por presidenti Sarkozy nuk u frikësua. Si bir i një hungarezi të mërguar dhe i një hebraike greke, i rritur te gjyshi dhe gjyshja e tij hebraike, të cilët dikur kishin ikur nga nazistët, ai edhe vetë ka një «sfond migracioni» dhe një raport pragmatik, josentinemtal ndaj integrimit. «Ne jemi një komb i vjetër, i cili është unik sa i përket përfytyrimit mbi dinjitetin e njeriut, sidomos të femrës“, deklaroi atëbotë Sarkozy. «Mbulesa totale, e cila fsheh fytyrën, shkel vlerat tona fundamentale republikane».

Edhe sekretarja e shtetit e Sarkozyt, myslimania Fadela Amara, shpjegonte se burka është «një shprehje e dukshme e fundamentalistëve në vendin tonë». Franko-senegalezja Rama Yade, po ashtu myslimane dhe anëtare e kabinetit, e quante atë «përbuzje ndaj njeriut dhe shpoti e vërtetë». Krejt ndryshe tingëllojnë, ndërkaq, zërat e organizatave majtiste europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kështu «Human Rights Watch» tërhiqte vërejtjen mbi «stigmatizimin» e bartëseve të burkës përmes ndalimit; «Amnesty International» deklaronte se ndalimi i burkës shkel «të drejtat elementare të femrave»; ndërsa liderja e socialistëve Martine Aubry shprehte shqetësimin se kështu bartëset e burkës «izolohen» edhe më shumë. Thua se është i mundshëm tejkalimi i izolimit të gruas nën burkë.

Ky paternalizëm i të majtëve nuk është i ri. Bie në sy se në mbarë Europën e majta po ia lë konservatorëve, përkatësisht djathtistëve luftën kundër islamizimit. Rezultati është se e djathta këtë pjesërisht po e funksionalizon dhe keqpërdorë për popullizëm. Po e majta? Ajo me tolerancën e rrejshme i relativizon jo vetëm vlerat perëndimore të arritura me mund siç janë shteti juridik dhe barazia, por injoron edhe shqetësimet e drejta të popullsisë. Para së gjithash ajo i lë të braktisura shumicën e myslimaneve, të cilat janë viktimat e para të agjitatorëve fundamentalistë.

Arsyet për këtë gjoja «dashuri ndaj të huajve», e cila në fakt është vetëm ana e kundërt e urrejtjes ndaj të huajve, duket se janë të ndryshme. Ato shtrihen nga indiferenca dhe ndërgjegjja e vrarë deri te diferencializimi shumë parimor i këtyre bijve dhe bijave të Michel Foucault dhe Claude Lévi-Strauss. Kanë qenë pikërisht këto qarqe, të cilat ofensivën e islamizmit një kohë të gjatë e kanë kremtuar si «revolucion të popullit». Foucault për shembull ka qenë njëri ndër mbështetësit e parë dhe të zjarrtë të shtetit iranian të zotit. Po liberalët dhe konservatorët? Ata kanë bërë dhe bëjnë me qejf biznese me islamistët. Për të drejtat e njeriut, në rastin tonë për të drejtat e grave, nuk flet askush.

Kur feministet nga fundi i viteve ‘70 kritikuan dëmtimin e gjenitaleve, ato nga të majtët u fajësuan për «eurocentrizëm të bardhë, konservator» dhe u urdhëruan të qëndrojnë anash. Sa i përket gjymtimit të tmerrshëm të gjenitaleve ndërkohë mendimet kanë ndryshuar. A duhet ne të durojmë edhe 20, 30 vjet nëse burka qenka e përshtatshme për shoqërinë – derisa të bëhet vonë? A duhet sërish të qëndrojmë anash, kur para syve tanë gratë privohen nga të drejtat elementare njerëzore dhe ato bëhen të padukshme? A nuk duam ende të kuptojmë se këtu nuk është fjala për çështje besimi, por për provokime të qëllimshme politike, të cilat falë tolerancës sonë të gabuar tejkalojnë kufijtë e shtetit juridik?

«A duhet ta ndalojmë burkën?» më kanë pyetur disa herë në debate. Çfarë pyetje! Gjithsesi po! Pa marrë parasysh se me çfarë formulime formale juridike. Sepse ekzistojnë kufij të «lirisë fetare». Me të edhe fundamentalistët e krishterë për shembull duan të arsyetohen kur nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat tona. Përndryshe që nga Papa Gjon Pali i II-të mund të vërehet një aleancë mes konservatorëve dhe fundamentalistëve të të dy religjioneve. Në shënjestër të dy palët kanë privilegjet e tyre dhe autonominë e grave. Kjo është një strategji e rrezikshme edhe për të krishterët. Sepse në fund ata do të dalin humbës.

Ndalimi i burkës qenkësh vetëm politikë simbolike dhe kështu nuk zgjidhet problemi i infiltrimit përmes islamizmit të kohës së gurit, thonë disa të mençur. Kjo është e saktë. Por edhe politika simbolike është politikë. Dhe ndalimi do të ishte një hap i parë dhe një shenjë e dukshme – jo vetëm për gratë e padukshme. Jo rastësisht parlamenti francez para disa vitesh e miratoi ndalimin e burkës pak para 14 korrikut, përvjetorit të Revolucionit Francez – në ditën e festës kombëtare në Francë nuk punohet, por festohet. Ky Revolucion Francez para më shumë se 200 vjetësh proklamoi «lirinë, barazinë dhe vëllazërinë» për të gjithë njerëzit. Dhe ne gratë kësaj ia shtuan «motërinë». Përtej kësaj nuk duam të fundosemi më.

* Alice Schwarzer është themeluese dhe editore e revistës «Emma». Ajo është aktivistja më e famshme gjermane për të drejtat e femrave. Schwarzer është autore e disa veprave mbi tematikën e barazisë gjinore.