Shala pret që Asociacioni të funksionalizohet në pranverë

«Nëse Kosova bëhet anëtare e UNESCO-së do të sigurojë garanci shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë», ka thënë Koordinatori në bisedimet Kosovë –Serbi, Blerim Shala, në një deklaratë për mediat serbe.




Ai ka theksuar se ekziston një përshtypje e gabuar, pasi që ka garanci kushtetuese dhe ligjore për trashëgiminë kulturore serbe.

Duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, Shala ka deklaruar se ky asociacion nuk është kundër Kosovës. Sipas tij, Asociacioni është pjesë e vazhdimësisë së bisedimeve që është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

«Unë pres që më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të fillojë së funksionuari në shtrirjen e saj të plotë», është shprehur Shala.

Ndërsa Shala ka theksuar se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të bëhen shumë shpejt.

«Kjo nuk është kundër interesave të popullit serb dhe shtetit të Serbisë. Ne do të kemi një ushtri moderne, e cila do të punojë ngushtë me NATO-n dhe nuk do të jetë armiqësore me Serbinë», ka shtuar ai.