Shaip Beqiri, fitues i çmimit letrar «Beqir Musliu» 2016

Shkrimtari Shaip Beqiri është shpallur sot fitues i çmimit letrar «Beqir Musliu», të cilin e ndan kryetari i Komunës, Lutfi Haziri për arritje të veçanta në letërsi.

Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar «Beqir Musliu», në përbërje Nexhat Rexha, Albina Idrizi, Hasan Bunjaku, Ramadan Mehmeti e Sadete Tërnava Osmani, transmeton Koha.net.

Kryetari Haziri, pasi mori komunikimin e jurisë profesionale, ku prezent ishte edhe kryetari i Ars Clubit «Beqir Musliu», Sabit Rrustemi, ka uruar shkrimtarin Shaip Beqiri, për të cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në lëminë e letërsisë, derisa ka qenë miku më i ngushtë i shkrimtarit të famshëm gjilanas, Beqir Musliu.

«Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim Beqiri është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion», ka qenë vlerësimi i kreut të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ideator i çmimit letrar «Beqir Musliu» është Ars Clubi «Beqir Musliu» nga Gjilani dhe ndahet për here të dhjetë nga Komuna e Gjilanit.

Përndryshe, shkrimtari Shaip Beqiri jeton dhe vepron në Zvicër, derisa ka qenë redaktor shumëvjeçar i kulturës në disa media të Kosovës.