Shahistja që nuk i tradhton parimet

Anna Muzychuk është kampione e botës në dy kategori të shahut. Tani ajo ka refuzuar të marrë pjesë në kampionatin botëror në Arabinë Saudite – sepse nuk dëshiron të mbulohet me një mantel të zi dhe me shami si gratë e Mbretërisë vahabiste.

Anna Muzychuk.



Në epokën e internetit – ose thënë më mirë: në epokën e mediave sociale njerëzit bëhen shpejt të njohur. Mjafton të përfaqësojnë një kauzë, mundësisht të rëndësishme. Anna Muzychuk, një vajzë 27-vjeçare nga Ukraina, kampione botërore në shah (në kategorinë e shpejtë dhe të rrufeshme, anglisht: rapid chess dhe blitz chess) ka bërë të ditur në Facebook se nuk do të marrë pjesë në kampionatin që do të mbahet në Arabinë Saudite. Në një lloj manifesti ajo ka shkruar se së shpejti do t’i humb dy titujt e saj për shkak se nuk dëshiron të bart abajan, veshjen tradicionale të grave arabe, të shoqëruar me shami, dhe nuk dëshiron që të lëvizë e shoqëruar nga një burrë. Në Arabinë Saudite gratë nuk mund të lëvizin në jetën publike pa përcjelljen e një burri nga familja. Për Anna Muzychuk këto janë kërkesa të papranueshme nga vendi mikpritës i kampionatit të shahut.

Në mars të këtij viti shahistja ukrainase mori pjesë në një turnir në Iran. Atje ajo kishte mbuluar flokët me shami – dhe kjo i kishte mjaftuar. Tani në Arabinë Saudite do të duhej të bartte abajan, një mantel të gjatë, zakonisht me ngjyrë të zezë. Në kampionatin e shahut që do të mbahet në Riad deri të shtunën marrin pjesë lojtare dhe lojtarë nga 70 vende. Autoritetet kanë deklaruar se gjatë lojës së shahut gratë mund të bartin kostume të zeza apo të kaltra dhe bluza, por në pjesën tjetër të kohës duhet të bartin abaja. Anna Muzychuk ka vendosur të mos jetë pjesë e kësaj mode. Ajo tha se më së shumti po e zemëronte fakti se ky problem duket se nuk i intereson askujt.

Siç shkruan gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» loja e shahut në Mbretërinë vahabiste të Arabisë Saudite ka qenë e ndaluar deri para dy vitesh. Kryemyftiu dhe shefi policisë fetare Abd al-Aziz ibn Abdullah al-Sheik në një intervistë televizive kishte thënë se loja e shahut është humbje kohe, një lloj loje fati, andaj, sipas tij, është e ndaluar nga Kurani. Por shtëpia mbretërore muajve të fundit ka vendosur të liberalizojë dukshëm jetën publike dhe t’u jap grava disa të drejta. Ndikimi i policisë fetare është kufizuar, gratë me gjasë nga viti i ardhshëm do të kenë të drejtë të ngasin vetura, pas disa dekadave janë lejuar kinematë dhe pjesëmarrja e burrave dhe grave në tribuna të stadiumeve.
E.R.