«Shaci» është një konstrukt racist, i çuditshëm dhe rezultat i orientalizmit shqiptar

Nga pikëpamja e orientalizmit shqiptar, ligjërimi rreth fjalës «shaci» është importimi i mënyrës stereotipike se si paraqiten shqiptarët në Gjermani, Austri dhe Zvicër, dhe kështu funksionon si metodë e vetëposhtërimit.

Foto: Shutterstock



Shqiptarët, mes «të huajve» të tjerë, përfaqësojnë «tjetrin» në Austri, Zvicër dhe Gjermani. Dinamikat e tjetërsimit u japin «të huajve» pothuajse dy mundësi. Mundësia e parë është ta luajnë rolin e «tjetrit» në industrinë e argëtimit, sikur futbollisti Xherdan Shaqiri, reperi Azet-i apo boksieri Luan Krasniqi. Vetëm një numër i vogël «të huajsh», në këto raste shqiptarësh, mund të «depërtojnë» te këto arritje. 

Shumica e «të huajve» duhet ta luajnë rolin e «tjetrit» në jetën e përditshme, për shembull duke bërë punët të cilat gjermanët përtojnë t’i bëjnë. Në asnjërën prej këtyre dy mundësive, «i huaji» nuk mund t’i ikë rolit të «tjetrit». Duke pasur këtë parasysh, thëniet sikur «shacit veshin pantallona të bardha, ngasin BMW të shtrenjtë, dhe dëgjojnë muzikë tallava» nuk janë mënyra e vetme për ta krijuar «tjetrin» brenda Kosovës, siç thotë Dafina Paca në artikullin e saj «Schatzi»: Making Meaning of Diaspora të vitit 2015. Pikësëpari, imazhi i shacit është importim i «tjetrit» europian nga vetë «tjetri» europian, pra shqiptarët. 

Në këtë kuptim, shaci është konstrukt racist dhe njëkohësisht i çuditshëm. Është racist në përmbajtje sepse riprodhon nocionin e «tjetrit» shqiptar në shtetet gjermanishtfolëse. Çudia qëndron te fakti se mbahet gjallë nga shqiptarët në Kosovë, pra, nga vetë «tjetri» europian. 

Shaci është versioni shqip i emrit gjerman «Schatz». Edhe pse vërtet do të thotë «thesar», gjermanët e përdorin më fort me kuptimin «zemër». Thuhet se emërtimi «shaci» vjen nga përdorimi i shpeshtë i kësaj fjale nga shqiptarët e diasporës kur ktheheshin për qëndrime verore në Kosovë. Meqenëse shumica e diasporës shqiptare në Europë jeton në njërin prej shteteve gjermanishtfolëse, nuk është çudi që një fjalë në gjuhën gjermane është bërë simbol stereotipik i tërë diasporës shqiptare. 

Diku 740’000 shqiptarë jetojnë në shtetet gjermanishtfolëse. Nëse të gjithë këta do të kishin pasaporta kosovare, ata do ta përfaqësonin 40 për qind të popullsisë së shtetit. Ekonomia kosovare varet nga paratë që bashkatdhetarët i dërgojnë në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, diaspora e Kosovës sjell më shumë se 500 milionë euro çdo vit në vendlindje. Sidoqoftë, besohet se kjo shifër është dyfish më e lartë për shkak të parave të paregjistruara që bashkatdhetarët ua dërgojnë familjarëve në Kosovë. Shkurt e shqip, diaspora e Kosovës është faktori më i rëndësishëm ekonomik në shtetin amë. 

Importimi i ligjërimit orientalist prej viteve  1830-ta 

Imazhi i shacit nuk është importimi i parë i ligjërimit europian prej elitave shqiptare që kurrë nuk provuan ta kuptojnë në cilin aspekt ligjërimi në pyetje është emancipues për popullin. Frymëzuar nga libri i Edward Said-it «Orientalizmi» nga viti 1978, libri i Enis Sulstarovës «Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja» merret me përpjekjen e vazhdueshme për ta importuar të menduarit në mënyrën perëndimore në qarqet intelektuale shqiptare. 

Rezultati kyç i këtij libri, duke ofruar të dhëna empirike prej Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri sot, është ky: formimi i identiteteve shqiptare varet nga kundërvëniet reciprokisht përjashtuese sikur Europa kundrejt Azisë, moderniteti kundrejt prapambetjes, Perëndimi kundrejt Lindjes dhe Krishterimi kundrejt Islamit. Në këtë kuptim, «shaci» është rezultat i orientalizmit shqiptar. 

Këtu, kundërvënia është mes shqiptarit «europian» që jeton në Kosovë kundrejt shqiptarit «oriental» që jeton në Perëndim. Diaspora shqiptare që jeton në Lindjen e Mesme, edhe pse ekziston në këtë kundërvënie, nuk përshkruhet me termin «shaci». Në Gjermani, Austri dhe Zvicër, shqiptarët historikisht janë portretizuar në një mënyrë orientaliste. Romani i Karl May-it i vitit 1892 «Durch das Land der Skipetaren» («Udhëtimi nëpër viset e shqiptarëve») është libër që pothuajse nuk guxon të mungojë në librarinë private të një familjeje qytetare gjermane. Në këtë roman, protagonistët shqiptarë përfaqësohen si të vrazhdë, dinakë dhe hajna të pabesë, që e kërcënojnë udhëtarin europian. Natyrisht, autori ka përfshirë temën famëkeqe orientaliste të gjakmarrjes shqiptare në librin te tij. 

Shqiptarët që kanë shkuar në shtetet gjermanishtfolëse gjatë periudhës së «gastarbajterëve» në vitet e ‘60 dhe ‘70 dhe refugjatët e luftës gjatë viteve të 90-ta vetëm e kanë përforcuar besimin se shqiptari është «joeuropian» nga natyra. Dokumetari i vitit 2011 «Die guten Albaner» (Shqiptarët e mirë), prodhuar nga transmetuesi publik zviceran SRF (Schweizer Radio und Fernsehen), është dëshmi përfaqësuese e imazhit të shqiptarit në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Dokumentari portretizon katër shqiptarë të suksesshëm në Zvicër, të cilët përfaqësohen si përjashtimi argumentit kryesor të filmit dokumentar se «ata [shqiptarët në Zvicër] konsiderohen si shkelës të rregullave të komunikacionit, dilerë të drogës dhe taksiratxhi». 

Duke e ilustruar këtë çështje më tej, një studim i vitit 2018 lidhur me hierarkitë etnike në përzgjedhjen e aplikuesve për punë në Gjermani, i kryer nga Qendra e Shkencave Shoqërore në Berlin (WZB), ka gjetur se aplikantët me rrënjë shqiptare janë më të margjinalizuarit në tregun e punës të Gjermanisë. 

Vetëposhtërimi dhe stagnimi 

Duke e përcjellë ligjërimin që e kanë zhvilluar perëndimorët për shqiptarët, elita shqiptare e vetëquajtur «përparimtare» ka importuar këtë koncept në Kosovë dhe e ka promovuar me termin «shaci». Njëkohësisht, kjo popullatë elite urbane nuk e ka kuptuar pozitën e vet brenda këtij ligjërimi të cilin e ka përvetësuar. Në artikullin polemizues «Schatz mirësevjen!» të vitit 2016, Rrahman Paçarizi e ilustron këtë çështje (mbase padashur) duke e theksuar «superioritetin kulturor të popullatës urbane të Kosovës». 

Paçarizi e shpreh kundërvënien mes shqiptarit «europian» që jeton në Kosovë dhe atij «oriental» që jeton në Gjermani si vijon: «Shaca, ashtu sikur ne e kemi njëfarë xhelozie ndaj kamjes suaj, edhe ju e keni njëfarë xhelozie për përparimin tonë». Ironia këtu është se elitat shqiptare besojnë se janë të përjashtuara nga ligjërimi orientalist për shqiptarët siç promovohet nga Perëndimi. 

Shembujt se si kjo kundërvënie mes shqiptarit «europian» të Kosovës dhe atij «oriental» të Perëndimit vihet në skenë nga shteti i Kosovës janë të shumtë, dhe thuajse gjithmonë përmes mënyrave të ndryshme të shfrytëzimit ekonomik: moskrijimi i një shteti social e funksional në Kosovë mund të shpjegohet me faktin se qeveria kosovare gëzohet që bashkatdhetarët e kryejnë këtë detyrë shtetërore për shtetin, gjë që shndërron shqiptarët që jetojnë në Perëndim deri në statusin e një kulete dhe janë shkaktarët kryesorë të miliona eurove të padokumentuara që hyjnë në shtet për ta mbështetur popullatën. 

Shumë pengesa burokratike ekzistojnë për shqiptarët që kthehen në Kosovë, dhe kjo situatë përkeqësohet nga mungesa e iniciativës qeveritare për ta nxitur prurje intelektuale duke e bërë kthimin më atraktiv për shqiptarët. Duke e mbajtur gjallë një ligjërim orientalist perëndimor kundrejt mërgimtarëve shqiptarë dhe shqiptarëve në përgjithësi, elitat po e poshtërojnë popullin e tyre dhe vetveten. Importimi i këtij ligjërimi, që nuk ka kurrfarë vlere emancipimi për shoqërinë, ka një rezultat: bashkëfajësia e elitave kosovare në mbështetjen e mjerimit të tanishëm të popullit të tyre duke e shtyrë përpara parimin e vjetër të përçarjes dhe sundimit, duke krijuar një dinamikë negative mes shqiptarëve që jetojnë në diasporë, dhe shqiptarëve që jetojnë në hapësira shqiptare. 

Adem Ferizaj është lindur në Kosovë dhe është rritur në Gjermani. Pas përfundimit të maturës, ai shkoi në Institutin e Studimeve Politike të Parisit ku kreu baçelorin tregjuhësh (gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht) në shkenca politike dhe sociologji si dhe një master dygjuhësh (frëngjisht dhe anglisht) në marrëdhënie ndërkombëtare. Gjatë studimeve të tij, ai zhvilloi interes të veçantë për studimet postkoloniale. Ka punuar në OJQ të ndryshme në Gjermani, Finlandë dhe Çeki, ka shkruar për gazeta të ndryshme (Prager ZeitungDer Standard, openDemocracy etj.), ka ligjëruar gjuhën gjermane në Kosovë dhe momentalisht është i punësuar në njërin ndër televizionet më të mëdha në Gjermani.  

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.