Sfida e gazetarisë hulumtuese në Ballkanin Perëndimor

Në Ballkanin Perëndimor, edhe hulumtimi më i vogël i punës së qeverisë mund të provokojë kundërpërgjigje agresive prej kreut të shtetit, tregon hulumtimi i Milka Tadiq-Mijoviqit

Foto: Jat306 / Shutterstock.com

«Jo, jo, unë e kam fituar vetëm rastin për fyerje në Serbi. Do të marrë kohë të gjatë para se ta fitoj edhe në Mal të Zi», më thotë Milka Tadiq-Mijoviq me një përgjigje të shpejtë, por me mirësjellje, teksa tregon se si shkojnë punët e drejtësisë në Ballkan.

Tadiq-Mijoviq, që ka qenë në krye të kolegjjiumit të redaktorëve në një portal lokal dhe që ka shkruar për një portal ndërkombëtar, është një prej gazetareve më të njohura në Malin e Zi. Është eksperte e njohur për të drejtat e gazetarëve në Evropën Juglindore, ligjëruese e gazetarisë hulumtuese e trajnuese seminaresh, dhe ishte ishte futur prej Mjekëve pa Kufijn në listën prej «100 heronjve të informacionit».

Më 2013, ajo shkroi një artikull në të cilin kishte analizuar një konferencë për media në Podgoricë, me fokus të veçantë në faktin se portalet liberale malazeze «Vijesti» dhe «Monitor» nuk ishin të mirëseardhura dhe vetëm gazetarët e afërt me establishmentin në pushtet të Gjukanoviqit ishin lejuar në sallën e konferencave.

Pastaj, portali me seli në Beograd, «e-Novine» publkoi një shkrim të gjatë kritikues, duke sfiduar kredibilitetin elementar të Tadiq-Mijoviqit për të folur për këtë çështje, duke evokuar deklaratat seksiste dhe personale.

Ajo ka thënë se shkrimi ishte shkruar në formën më klasike të linçimit, bazuar në informacione të gjetura me tendencë, pavarësisht nëse ishin profesionale apo jo, duke u marrë madje edhe me jetën e saj private.

Duke dashur që ta pastronte emrin e saj, ajo paditi mediumin për shpifje në Gjykatën e Lartë në Beograd. Ajo e ka fituar rastin në korrik, me vendimin e gjykatës që e urdhëron «e-Novine»-n ta paguajë atë tetë mijë euro si kompensim për dëmtim të «nderit dhe reputacionit» të saj me publikimin e shkrimit me informacione të rrejshme dhe fyese. Në Mal të Zi, ajo ende po pret vendimet e disa rasteve në gjykatat lokale pas ngritjes së akuzave për fyerje prej portalit të dikurshëm shtetëror, «Pobieda».

Kjo është një diskrepancë e madhe në mënyrën se si punon drejtësia kur vjen puna te kallëzimet në Serbi dhe Mal të Zi. «Kjo është bërë e mundshme për shkak se drejtësia në Serbi, ende, në njëfarë mase operon e pavarur prej partisë në pushtet», thekson Tadiq-Mijoviq. «Në Mal të Zi, kjo nuk mund të ndodhë».

Në Serbi mbase ka më së shumti raste legale pas publikimit në media në rajon, pjesërisht edhe për shkak se secila qeveri sundimtare në vend kishte traditë të gjatë të heshtjes së zërave opozitarë. Dhe këto veprime ligjore vijnë prej dy palëve, institucionale dhe publike, e megjithëse këto tregojnë se cilat janë përmasat e aktorëve të koorporatave ose politikës, është gjithashtu mundësi për t’u ankuar te drejtësia, në vend se të shkohet me hakmarrje eventuale.

Në një rajon me përmasat më të mëdha të gazetarisë partizane dhe nepotizëm mediatik politik në Evropë, e kam pyetur atë nëse organizatat, si e saja, Qendra Malazeze për Gazetari Hulumtuese dhe e përjavshmja «Monitor», mund të kontribuojnë me shkallë më të madhe transparence informacioni.

«Kjo është diçka që zor se mund të përmblidhet tani për tani, dhe pjesërisht për shkak se porsa kemi nisur», thekson ajo. «Por gjithashtu për shkak se ndjeshmëritë e lexuesve në Ballkan nuk janë të ditura dhe kështu kjo lidhet edhe me punën e mediave të pavarura».

Tadiq-Mijoviq ia atribuon këtë edhe problemit strukturor brenda vetë mediave. «Ma merr mendja se çka po ndodh në Ballkan, kemi humbur lexuesit si financuesit primarë të mediave, dhe në vend të kësaj po shohim centralizim të skajshëm të gazetarisë», thekson ajo. «Kjo mundëson kontroll të përgjithshëm të mediumeve kryesore».

Politikanët lëkurëtrashë

Për ta theksuar edhe më shumë deri ku janë të penguara, OJQ-të dhe mediat e pavarura në Serbi, edhe përpjekjet më të vogla për hulumtimin e punëve të qeverisë mund të provokojnë kundërpërgjigje agresive dhe të stërekzagjeruara prej lidershipit qeveritar.

Dunja Mijatoviq, përfaqësuese për liri të shtypit në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kishte folur më 2014 për bllokimin e uebfaqeve në Serbi në momente vendimtare. Një prej këtyre masave ishte një vendim që besohet se ishte i qeverisë për bllokim të përkohshëm të një shkrimi që lidhej me përfshirjen e një ministri qeveritar që akuzohej se kishte falsifikuar disertacionin e doktoratës.

Mijatoviq kishte lëshuar një deklaratë në të cilën shkruante se këto veprime kishin nisur të shndërroheshin në masa të shpeshta në administratën e tanishme. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ishte treguar i ashpër dhe nuk kishte zgjedhur fjalët kundër saj. Ai pretendonte se Mijatoviq po «lansonte fushatën më të fëlliqtë kundër tij dhe fushatës së tij për liri dhe sundim të ligjit».

Dhe megjithëse indeksi për lirinë e shtypit në Serbi ka shënuar përmirësim kategorik prej kohës së regjimit të Milosheviqit, aktivisti i të drejtave qytetare, Sasha Jankoviq, vazhdon të mendojë se ekziston në Serbi «situatë jashtëzakonisht e vështirë për lirinë e shprehjes për shkak të një zinxhiri ngjarjesh të fundit, që megjithëse në vetvete nuk janë të rrezikshme, në fund të fundit reflektojnë një përpjekje të përqendruar për të heshur kundërshtimin».

Po shtrëngohet laku

Sidoqoftë, paditë e Tadiq-Mijoviqit ofrojnë një tjetër shembull në median e pavarur liberale, ku fyhen e njollosen edhe gazetarët më të respektuar dhe të njohur për profesionalizmin e tyre. Mbase në mungesë të prospektit për ambient të mediave të lira, gazetarët e angazhuar përqëndrohen më shumë në deklarata dhe shpeshherë nuk theksojnë hollësi duke u larguar prej thelbit të çështjes.

Në gjithë këtë mal me sfida, Jankoviq dhe Tadiq-Mijoviq shpresojnë se do të ketë zhbirim publik dhe kërkim të llogarisë prej shoqërisë civile që janë të informuar dhe të përkushtuar për transparencë të informacionit, për të cilat angazhohet edhe Qendra Malazeze për Gazetari Hulumtuese.

«Ne duhet ta dëshmojmë veten në sytë e publikut të përgjithshëm, që të fuqizojmë imazhin tonë të përgjithshëm duke vazhduar me raportim në të mirë të interesit publik», ka deklaruar Tadiq-Mijoviq, duke shpjeguar se publiku i gjerë vazhdon të mbetet i pavarur pavarësisht se kush po u shërben.

Me publikimin e projekteve të ngjashme si për pasuritë offshore të zbuluara prej Qendrës Malazeze dhe me shkrimin «Blerja e parajsës» të Qendrës Boshnjake për Raportim Hulumtues në bashkëpunim me Projektin për Raportim të Krimit dhe Korrupsionit, mund të (ri)kthehet besimi i publikut jo vetëm në mediat e pavarura në Ballkan në përgjithësi, por në veçanti në Serbi e Mal të Zi – vende ku lidhjet ndërmjet shtetit dhe diskursit publik janë të forta.

Dhe derisa po dëgjohet jehona e fjalëve të Tadiq-Mijoviqit, mbase për momentin ofrojnë të vërtetën e vetme me të cilën përballen mediat në Serbi e Mal të Zi.

(«Open Democracy»)