Sërish vjen tetori…

Përse pritja e shumë shqiptarëve që Ismail Kadare të marrë Nobelin e Letërsisë ka diçka irracionale.

Foto: Shutterstock



Iku edhe një Nobel i Letërsisë. Sot e mori një britanik me origjinë nga Japonia. Diçka nga vepra e tij tashmë është përkthyer edhe në shqip, por aq i njohur ky autor nuk është. Ngushëllimi i vetëm është ky: sivjet u nderua një shkrimtar, jo një muzikant tekanjoz si vitin e kaluar. Pra, iku edhe një Nobel. Një Nobel që nuk e mori Ismail Kadare, më i madhi shkrimtar shqiptar, pa asnjë dyshim. Më i njohuri autor shqiptar në botën e jashtme – i nderuar me çmimet më të rëndësishme letrare të Europës, i lexuar në shumë vende të botës, i lavdëruar me tonet më të larta të shumë recensentëve të letërsisë. Kriteret letrare për të marrë Nobelin Kadare i plotëson, gjithsesi.

Përse, atëherë, nuk po e fiton këtë çmim? Për shumë shqiptarë kjo është e pakuptueshme. Jo pak shqiptarë në javën kur ndahen çmimet Nobel deklarohen si fansa të Kadaresë, luten dhe përgjërohen që idhulli i tyre të marrë Nobelin. Kur vjen dita, kur në orën 13:00 shpallet fituesi, dëshpërimi është i madh, mallkimi ndaj «Europës injorante» i pafrenueshëm. «Sërish na e bënë me hile», mund të mendojë ndokush.

A mund të luajnë rol arsyet joletrare që Kadare nuk po e merr çmimin Nobel për Letërsi? Fakti se nuk ishte disident, por nënkryetar i Frontit Demokratik me kryetare Nexhmije Hoxhën? Kadare me siguri në atë front nuk ka pasur kurrfarë ndikimi, por prapë vetë prania e tij aty nuk është referencë e mirë. Qe 25 vjet Kadare sikur është kurthuar në një telenovelë polemikash me vejushën Hoxha, me Ardian Klosin (e ndjerë), me Fatos Lubonjën, me Kasëm Trebeshinën. Dhe më shumë të tjerë. Këto polemika janë të padobishme. Më së shumti për Kadarenë. Këto fjalosje nuk e bëjmë më disident, por as shkrimtar më të mirë apo më të moralshëm. Duhet të jetojë me atë moral që e krijoi edhe gjatë diktaturës komuniste.

Nga këndvështrimi perëndimor është shumë lehtë të shitet mend se përse Kadare nuk ishte disident? Përse nuk bëri këtë apo atë? Përse nuk foli kështu apo ashtu? Nga ngrohtësia e vatrave perëndimore llafet e tilla rrjedhin si qumështi në vathën e dhenve. Por, kush ka jetuar në diktaturë, në ferrin komunist të Enver Hoxhës e di më mirë përse s’ka folur, përse nuk ka qenë disident, kryengritës, kritik, i revoltuar. Vuajtjet, rreziqet, krimet e diktaturës shqiptare ne vetëm mund t’i marrim me mend, por s’mund dhe s’duhet të krekosemi si heronj pas humnerës.

Problemi me pritjet shqiptare që Kadare të marrë Nobelin është se jo pak njerëz mendojnë gabimisht se kësisoj nderohet edhe kombi shqiptar, shoqëria shqiptare, shteti shqiptar, Shqipëria, Kosova, diaspora… Nëse nuk e kemi një Nobel në sirtar, nuk jemi pjesë e Europës. Nëse nuk e kemi këtë çmim, disi nuk jemi tamam aty ku e kemi vendin: në Europë. Muhabete të kota ballkanike. Natyrisht diçka nga fama e Nobelit për Letërsi do të binte edhe mbi shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë Nobeli i Letërsisë (dhe i fushave të tjera) nderon individët.

Më i rëndësishëm se një Nobel, të cilin shoqëria shqiptare e pret me dekada, është një shtet funksional, i zhvilluar, i mirëqenë, i përparuar, me sistem arsimor të mirë. Atëherë Shqipëria dhe Kosova do të ishin pjesë e BE-së, atëherë do të mund ta harronim për një moment letërsinë e Kadaresë dhe do të gëzoheshim që Nobelin e mori një kimist, një biolog, një ekonomist… Meqë shoqëritë shqiptare nuk janë ambicioze, ato kanë mbetur të ngujuara në kafazin kadarean.

Të mendojmë për një çast se Nobelin e Letërsisë nuk e kanë marrë këta shkrimtarë të parëndësishëm: Franz Kafka, Oscar Wilde, Erich Maria Remarque, Kurt Tucholsky, Truman Capote, Henry Miller, Vladimir Nabokov, F. Scott Fitzgeald, Jorge Luis Borges, Sigmund Freud, Heinrich Mann, Joseph Conrad, John Irwing, Thomas Bernhard, Philipp Roth, John Updike, Robert Musil, Salman Rushdie, Heiner Müller, Margarite Duras, Carlos Fuentes, Julio Cortázar, Alfred Döblin, Danillo Kish. Kujt do t’i kujtohet se Nobelin e ka marrë Dario Fo? Apo Jean-Marie Gustave Le Clézio?

Sërish vjen tetori… Edhe nëse vjen pa Nobel për Ismail Kadarenë, nuk është tragjedi e madhe. Së paku jo e atyre përmasave siç propagandohet në forumet virtuale.