Sërish shtyhet gjykimi ndaj Ramadan Mujës

Rasti i Ramadan Mujës sërish është anuluar. I paraparë të niste të hënën rigjykimi i kryetarit të Prizrenit nuk ka filluar, ndërkaq nuk është dhënë arsye nga EULEX-i pse është bërë kjo, transmeton KTV.




Megjithëkëtë, mbrojtja e Mujës ka dorëzuar kërkesë për përjashtim të trupit gjykues në këtë rast. Avokati Tomë Gashi ka thënë se kërkesën e kanë bërë për shkak se kryetari i trupit gjykues dhe një gjyqtar tjetër janë të njëjtët që ishin pjesë e panelit në gjykimin e parë, ku Muja dhe 5 zyrtarë të komunës së Prizrenit u shpallën fajtorë.

«Është gati e pamundur që i njëjti trup gjykues të sjell vendim tjetër nga ai i pari. Kemi kërkuar gjithashtu edhe përjashtimin e kryetarit të Gjykatës që të mos jetë ai që vendos për kërkesën tonë, sepse ka qenë dëshmitar në këtë proces. Kështu, për ankesën tonë duhet të vendos Gjykata e Apelit», ka thënë avokati Gashi.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e kryetarit të Prizrenit të cilin gjykata e shkallës së parë e shpalli fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.