Sërish bllokadë urdhëresës së Trumpit për ndalim-hyrje në SHBA

Edhe pezullimi i dytë i Trumpit për hyrje në SHBA për qytetarë të gjashtë shteteve myslimane është suspenduar nga drejtësia.

Foto: shutterWhisper / Shutterstock



Një gjykatës në Hawaii e ka suspenduar për të gjithë vendin ndalim-hyrjen e presidentit Trump për vizitorë dhe refugjatë nga gjashtë vende myslimane. Pas tij erdhi edhe një gjykatës i shtetit të Washingtonit. Urdhëresa, në fakt, duhej të hynte në fuqi mbrëmjen ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes. Sipas Trump, ajo është një masë mbrojtëse nga terrorizmi. Ishte përpjekja e dytë e qeverisë për këtë kauzë. Verzioni i parë i ndalim-hyrjes u bllokua nga drejtësia, më pas kundër qeverisë vendosi edhe një gjykatë apeli.

Donald Trump ka reaguar me hidhërim të madh pas njoftimit të vendimit të gjykatësit. Ai e ka dënuar aktin si një «aktivizëm të pashembullt gjyqësor». Trump mendon se kjo është një e drejtë e pakontestueshme e presidentit për t’ia ndaluar dikuj hyrjen në vend. Presidenti variantin e dytë të urdhëresës e ka quajtur si të zbutur. Ndërkohë që gjyqet variantin e parë e kishin kualifikuar si potencialisht antikushtetues, diskriminues për myslimanën dhe ekonomikisht të dëmshëm.

Njëri prej gjykatësve tani në gjykimin e tij shkruan se një vëzhgues i asryeshëm vjen në përfundimin se vendimi i presidentit synon diskriminimin e një religjioni të caktuar. Ai ka konsideruar shumë deklarata të Trumpit, përpara se ai të bëhej president. Dhe, kjo sipas specialistëve, është një pikë e dobët e gjykimit, transmeton Neue Zürcher Zeitung. Ai, në fakt, e ka cituar një gjykim të gjykatës së lartë të SHBA-ve, sipas së cilës nuk mund të mos e konsiderosh se në çfarë konteksti politik vjen një vendim politik. Sipas kësaj, del qartë se pas urdhëresës së presidentit fshihen armiqësi fetare.

Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore kishte kërkuar një ndalim total, por të përkohshëm, të hyrjeve të myslimanëve në SHBA, duke mos i përjashtuar as shtetasit amerikanë. Ai madje është shprehur për një ekskomunikim të myslimanëve. Dhe gjykatësi e citon një bashkëpunëtor të dikurshëm të Trumpit, ish prefektin e New Yorkut, Rudy Giuliani. Ai ka dhënë për protokoll se presidenti e ka autorizuar atë që në një farë forme të hartojë një përjashtim legal të myslimanëve.

Suspendimi i sërishëm i një elementi qendror të politikës së emigracionit të presidentit Trump përbën një goditje të rëndë për Shtëpinë e Bardhë. Herën e parë presidenca nuk e ankimoi gjykimin e gjykatës së apelit me thirrjen e gjykatës së lartë. Në vend të kësaj, ajo e nxorri dekretin e dytë për ndalim-hyrje. Tani Trumpi nuk do të ndahet pa një humbje fytyre nga ky kontest. Fundja gjykata e apelit është e njëjta, kështu që për një provë të tretë ai do të duhet ta studiojë materien mirë.

Gazeta nënvizon që, sikurse herën e parë, nuk është fjala vetëm për diskriminim fetar, por edhe për efekte negative për institucionet dhe individin. Gjykatësit e Hawaiit dhe Washingtonit kanë argumentuar që ndalim-hyrja i dëmton univeristetet publike, turizmin, sektorin më të rëndësishëm të arkipelagut. Sipas njërit prej gjykatësve, për shkak të ndalesës, ankimuesit kanë përjetuar dëme të pariparueshme dhe besojnë që në një vlerësim përfundimtar gjyqësor kanë shanse të mira të fitojnë. Këto janë kriteret të cilat i mundësojnë një gjykatësi të vendosin suspendimin. ks