Serbinë e hidhëron fakti se Shqipëria aplikoi për anëtarësim të Kosovës në UNESCO




Kërkesa e Shqipërisë që UNESCO të vë në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, për qeverinë e Serbisë nuk është veprim miqësor dhe nuk çon në marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Kështu ka thënë Ministri i Punës, Punësimit dhe Çështjeve Sociale Aleksandër Vulin.

Vulin, para gazetarëve, sot ka thënë se Serbia do të luftojë kundër këtij veprimi dhe se i vjen keq që Shqipëria ka vendosur të ndërmerr një hap të tillë.

“Më vjen keq që Shqipëria ka bërë atë që e ka bërë. Nuk është diçka që ndihmon në marrëdhëniet ndërfqinjësore. Kjo gjë nuk e kthen besimin në rajon dhe flet për atë se disa vendeve nuk u intereson fare apo u intereson pak se çfarë ndjen Serbia apo serbët”, ka thënë Vulin, raporton Koha.net.

Ministri ka shtuar se këtë gjë ka mundur ta bëjë ndonjë vend tjetër, por ka theksuar se duhet të jemi të ndjeshëm kur kemi të bëjmë me fqinjët dhe rajonin tonë.

Vulin ka thënë gjithashtu se e di që Shqipëria e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka theksuar se për këtë gjë nuk pajtohet dhe se Serbia asnjëherë nuk do të pajtohet për këtë gjë, që ta njohë Kosovën shtet të pavarur.

Ministri serb më tutje ka thënë se “është e qartë që drejtësia është në anën tonë – Kosova nuk mund të bëhet anëtare e UNESCO-s pa u bërë anëtare e OKB-së”.

Shqipëria ka bërë kërkesë zyrtare që Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, në seancën e tetorit, ta vë në rend të ditës kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Veç Shqipërisë, kërkesën e kanë përkrahur edhe 44 vende tjera anëtare të UNESCO-s, nga 195 sa janë gjithsejtë.

Ndërkaq, para pak çastesh, Ministria e Jashtme e Kosovës ka organizuar një konferencë të jashtëzakonshme për media me ç’rast zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi shpalosi detaje të reja rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), pas futjes se kërkesës së Kosovës për anëtarësim në agjendë të Bordit Ekzekutiv, të nënshkruar nga një numër rekord i shteteve anëtare.

Selimi u shpreh se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO gjatë verës përmes New Yorkut, sipas rekomandimeve nga vet agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.

“OKB në New York ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, ka thënë Selimi, duke shtuar se Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellë tutje aplikimin e Kosovën në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.

“Ky zhvillim”, sipas Selimit, “ka hapur dyert që Kosova të futet në agjendën e Bordit Ekzekutiv”.

Kosova tani ka siguruar votën e deklaruar haptas nga 19 shtete anëtare të Bordit Ekzekutiv, gjë që përbën një lajm pozitiv marrë parasysh se në Bord vendit do t’i duhet shumica e thjeshtë për t’u votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s.

“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtarë të UNESCO-s që përbën një numër rekord të bashkësponsoruesve në historinë e re të UNESCO-s”, theksoi Selimi.

Zëvendësministri i Jashtëm rikujtoi se Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim më 3 tetor, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s pritet të votojë në javën e parë të nëntorit me ç’rast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin e Kosovës në këtë agjenci të OKB-së.