Serbia zbulon planin për të ndihmuar Rusinë në çminimin e Sirisë

Gatishmëria dhe aftësia e Ushtrisë Serbe për t’u bashkuar me trupat e Rusisë në Siri, një deklaratë e ministrit serb të mbrojtjes ka ngritur dyshime për planet e ardhshme mes dy vendeve.

Ndërtesa e Qeverisë në Beograd. Foto: Shutterstock



Një ekspert serb i ushtrisë ka hedhur dyshime të forta për plane nga ana e Ministrisë Serbe të Mbrojtjes për të dërguar trupa në operacione çminimi në Siri në bashkëpunim me Rusinë në fund të 2018-tës.

Aleksandër Radiq, një ekspert ushtarak i tha BIRN-it se angazhimi i ministrit Zoran Gjorgjeviq ishte «një premtim i gabuar, politik».

«Nuk ka mundësi që Ushtria Serbe të shkojë në Siri për të çminuar ndonjë gjë për një arsye të vetme – sepse do të ishte duke zgjedhur një anë», shpjegoi Radiq.

Si një vend ushtarakisht neutral, Serbia nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet të lidhur me luftën civile në Siri, përveçse nën mandat nga Kombet e Bashkuara apo Bashkimi Europian, shtoi ai.

Gjorgjeviq tha për agjencinë e lajmeve Tass të Rusisë më 25 prill se forcat serbe së shpejti do të marrin pjesë në operacione çminimi në Siri, përfshirë në Palmirë, por më vonë e korrigjoi veten se kjo do të ndodhte në fund të 2018, pas një trajnimi të përshtatshëm të ushtarëve serbë.

Gjorgjeviq i dha deklaratat pas takimit me homologun rus, Sergey Shoygu në një konferencë në Moskë për sigurinë kombëtare, kur ai tha «Serbia mbështet të gjitha iniciativat ruse».

«Duam të marrim pjesë në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Veçanërisht kemi folur për pjesëmarrjen e forcave të armatosura serbe për çminim në Siri, përfshirë Palmirën», tha Gjorgjeviq duke shtuar si trupat serbë dhe rusë duhet të prezantohen së bashku në skenën ndërkombëtare, raportoi Tass.

Gjorgjeviq më vonë lëshoi një shpjegim duke pranuar se Serbia aktualisht nuk ka kapacitet apo njësi të trajnuara për këtë punë, por ishte e gatshme të çonte njerëz për trajnim.

«Vetëm pas kësaj, ndoshta në fund të 2018-tës, Serbia mund të marrë pjesë në çminimin humanitar në të gjithë botën, përfshirë në Siri», tha ministri.

Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it rreth detajeve të ndonjë marrëveshjeje të mundshme çminimi me Rusinë.

Gushtin e kaluar, agjencia Tass njoftoi se forcat serbe mund të bashkoheshin me trupat ruse në kryerjen e operacioneve humanitare në qytetin e sirian të Aleppos pasi Moska kërkoi mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar forcat qeveritare për të rimarrë qytetin.

Aleksandër Radiq tha se operacionet e çminimit nga forcat serbe në Siri ishin vetëm një mundësi që do të krijohet pasi të kenë përfunduar luftimet dhe pas krijimit të misionit të OKB.

«Në çdo opsion tjetër, Serbia do të ishte një palë ndërluftuese, pavarësisht nëse përfshihet drejtpërdrejt në luftime», tha Radiq.

Ai shtoi se marrëdhëniet ushtarake midis Serbisë, SHBA-ve dhe Rusisë ishin «të komplikuara”» sepse Serbia po merrte pjesë në trajnime dhe aksione me të dyja vendet.

Më 28 prill, ambasada e SHBA-ve në Serbi tha se Uashingtoni do t’i dhurojë Serbisë pajisje çminimi dhe mjekësore me vlerë 435.000 dollarë, ndërsa instruktorë të ushtrisë amerikane në Europë do të ndihmonin në trajnimin e trupave serbe për shkatërrimin e eksplozivëve.

Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, 329 pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë janë përfshirë në operacione shumëkombëshe – në Kongo, Liberi, Qipro, Liban, Lindjen e Afërt, Republikën e Afrikës Qendrore, Somali dhe Mali.

(https://www.reporter.al/serbia-zbulon-planin-per-te-ndihmuar-rusine-ne-cminimin-e-sirise/)