Serbia vazhdon ta përgjojë Kosovën




Serbia dyshohet se vazhdon të përgjojë njerëz dhe institucione të rëndësishme të Kosovës, raporton KTV.

 

Përgjimi kryhet në forma të ndryshme, ndaj njerëzve dhe segmenteve të rëndësishme ekonomike.

Për ta bërë këtë, Serbia nuk është se e ka fort të vështirë, pasi përgjimin dhe marrjen e informacioneve nga Kosova mund ta bëjë në forma të ndryshme.

Arianit Dobroshi, njohës i çështjes së përgjimeve thotë se Problemi kryesor qëndron te fakti se disa nga telekomunikimet e Kosovës kalojnë përmes Serbisë.

Serbia e ka shumë të lehtë që të kontrollojë në veçanti, komunikimet përmes telefonisë fikse, pasi të gjitha kalojnë përmes saj, transmeton Koha.net.

Por, këtu nuk përjashtohet as përgjimi në formë fizike me pajisje të ndryshme. Për diçka të tillë, është raportuar nëpër media të ndryshme, ku është thënë se në veri të vendit ekzistojnë qendra të ndryshme të përgjimit që shfrytëzohen nga Serbia.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, ka thënë për KTV-në se institucionet e Kosovës prej vitit 2013 e dinë për prezencën e antenave dhe të përgjuesve të ndryshëm në territorin e Mitrovicës Veriore.