Serbia thotë ka paguar për Kosovën 580 milionë euro borxhe publike     




Borxhin e jashtëm publik të Kosovës edhe më tutje e shlyen Serbia, shkruan sot gazeta “V.Novosti”. Gazeta citon të dhënat e Bankës Popullore të Serbisë (BPS), sipas të cilave kanë mbetur edhe 352,05 milionë euro të kryegjësë, që duhet të shlyhet deri më 2041. Por, sipas shkrimit të kësaj gazete, që e transmeton Koha.net, kur të llogaritet edhe kamata, kjo shumë lehtë mund të arrijë në një miliard euro.

 

Gjatë periudhës nga 2001 deri më 31 gusht të vitit 2015, Republika e Serbisë ka paguar pjesën e borxhit të jashtëm publik që ka të bëjë me shfrytëzuesit e nga territori i Kosovës e Metohisë, siç e quan kjo gazetë Republikën e Kosovës, në bazë të kryegjësë dhe të kamatës, në një shumë që kap rreth 580,13 milionë euro. Nga këto, 171,06 milionë euro kanë të bëjnë me kryegjënë dhe 409,07 milionë euro me kamatat, citon “Novosti” burime të Bankës Popullore të Serbisë.

Një pjesë e borxhit të jashtëm publik, të cilin brenda afatit kur arrin e servison Republika e Serbisë, ka të bëjë me borxhin e Kosovës e Metohisë ndaj detyrimeve sipas kontratave të lidhura ndërmjet viteve të shtatëdhjeta e të nëntëdhjeta të shekullit të njëzetë me Bankën Botërore, Klubin e kredidhënësve të Parisit e të Londrës, Bankën Investuese Europiane, tash detyrime ndaj Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Kuvajtit.

Detyrimet ndaj Shoqatës Europiane të Hekurudhave (Eurofima) janë shlyer më 2007, ndërsa ndaj Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës më 2011. Tash për tash nuk janë zgjidhur detyrimet e Republikës së Serbisë ndaj Qeverisë së Libisë dhe ish-Çekosllovakisë (borxh kliring), citon gazeta BPS. Sipas të dhënave në dispozicion të kësaj banke, sipas gjendjes më 31 gusht të vitit 2015 pjesa e borxhit të jashtëm publik të Republikës së Serbisë, që i referohet detyrimeve të borxhlinjve dhe shfrytëzuesve nga territori i Kosovës e Metohisë , që do të arrijë në periudhën shtator 2015 deri më 2041 sipas kryegjësë kap rreth 352,05 milionë euro

Pjesa më e madhe e borxhit publik të mbetur të Kosovës e Metohisë ka të bëjë me Klubin e kreditorëve të Parisit – mbi 200 milionë euro, e pastaj vjen Klubi i kreditorëve të Londrës, me mbi 100 milionë euro.

Shteti i Serbisë, sipas kësaj gazete, nuk paguan në emër të Kosovës e Metohisë vetëm pjesën e borxhit ndaj Bankës Botërore, ku ka pushuar së paguari më 2009. Të rikujtojmë, Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, e pastaj është pranuar anëtare e Bankës Botërore. Republika e Serbisë mbi ndërprerjen e asaj pjese të pagesës është njoftuar përmes një letre nga centrali në Uashington.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave të Kosovës, borxhi i përgjithshëm publik i këtij shteti, siç e quan gazeta – të vetëshpallur, kap 649 milionë euro. Nga këto 330,59 milionë euro i përkasin borxhit të jashtëm, pjesa më e madhe ose rreth 187 milionë euro përbën pikërisht ky borxh ndaj Bankës Botërore nga koha Jugosllavisë tash të shpërbërë.