Një raport i ri nga organizata Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, BCSP, thotë se Ministria e Mbrojtjes e Serbisë shpenzoi 7,4 milionë euro që qenë planifikuar për modernizimin e avionëve të vjetëruar Super Galeb G-4 për synime të tjera për shkak se projekti nuk kishte marrë miratimin final nga qeveria.
Projekti për modernizimin e dhjetë avionëve Super Galeb, të cilat janë prodhime të viteve 1980, qe konsideruar si një nga tre projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Por analiza e BCSP, e prezantuar këtë javë, thekson se modernizimi i këtyre avionëve ka qenë një vendim strategjik me rëndësi afatgjatë, që synonte të ruante forcën ajrore të ushtrisë serbe, gjë që nuk u realizua. E ardhmja e forcave ajrore serbe ka qenë temë e shumë spekulimeve prej vitesh për shkak se ky vend nuk disponon paratë e nevojshme për të blerë avionë të rinj.
«Gjetjet tona… tregojnë defekte serioze në planifikim, gjë që e ka penguar Ministrinë të përdorë në kohë dhe në mënyrë realiste paratë që ka», deklaroi Katarina Djokic, nga BCSP, për BIRN.
Avionët Super Galeb G-4 ishin gjenerata e fundit e avionëve të prodhuar nga industria ushtarake e ish-Jugosllavisë. Ato qenë dizenjuar për t’u përdorur më së shumti për trajnime të avancuara të pilotëve për luftë ndërsa u përdorën nga ushtria serbe në stërvitjen e fundit «Morava 2016» edhe në rolin e «mbështetjes me zjarr», gjë që sugjeron se Serbia ka në plan t’i përdorë këto avionë edhe në operacione luftimi përpos stërvitjes.
Gjithsesi, Djokic shtoi se megjithëse projekti i modernizimit nuk u realizua, paratë e destinuara për të, në total 7,4 milionë euro, janë shpenzuar për qëllime të tjera.
Modernizimi i këtyre avionëve vijon të figurojë si zë investimi në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017, por Djokic tha se ministria i ka njoftuar BCSP-së se projekti i modernizimit nuk ka nisur për shkak se qeveria nuk e ka miratuar ende atë.
Serbia ndërkohë ka deklaruar plane për të marrë avionë luftarakë MiG nga Rusia, gjë që ka ngritur pikëpyetje të tjera për strategjinë e forcave ajrore të vendit si dhe ka shtruar pyetjen nëse modernizimi i avionëve Supergaleb është apo jo i nevojshëm.
Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por në deklarata të mëparshme ajo ka konfirmuar se Ministria e Financave e Serbisë ka ngurruar të japë fondet për këtë projekt.
«Për shkak se Ministria e Financave nuk qe në gjendje të jepte fonde shtesë nuk kishte mundësi për zbatimin e procedurës së prokurimit për zgjedhjen e një partneri strategjik nga jashtë vendit», i pati thënë ministria BCSP-së tetorin e kaluar.
Avioni Supergaleb ka kryer fluturimin e parë provë në vitin 1978 ndërsa prodhimi i tij është përfunduar në vitin 1991. Gjithsej janë prodhuar 85 avionë të tillë.
(https://www.reporter.al/serbia-shperdoroi-parate-e-destinuara-per-modernizimin-e-avioneve-ushtarake/)