Serbia shpërblen policin shqiptar që e përqafoi djaloshin sirian




Ministri serb i Policisë Nebojsha Stefanoviq ka biseduar sot me policin nga Presheva Rexhep Arifi fotografia e të cilit me djaloshin sirian ka përshkuar botën. Stefanoviq ka paralajmëruar se për humanitetin e treguar polici do të shpërblehet, njofton B92.

 

«Ai ka dëshmuar se policët serbë kanë raport normal dhe të kulturuar ndaj të gjithë njerëzve që vijnë në vendin tonë dhe të gjithë neve na ka prekur njerëzia e tij», ka thënë Stefanoviq, transmeton Koha.net.

Arifi gazetarëve u ka thënë se ditën kur ishte bërë fotografia kishte qenë në patrullën e rregullt në fshatin Miratoc, në vendcaktimin e parë të refugjatëve pas arritjes nga Maqedonia, se atë ditë ka pasur shumë tollovi dhe se nëna e djaloshit ka qenë e lodhur dhe për atë arsye ai e kishte marrë djalin me emrin Amir nga Siria dhe kishte luajtur me të.

Polici Arifi ka shtuar se në Miratoc arrijnë nga 2.000 -3.000 refugjatë dhe se policët gjithmonë sillen ashtu si kishte bërë ai vetë me fëmijën.

Stefanoviq ka thënë se nuk i ka interesuar nëse polici që e ka pasur në krah fëmijën ka qenë shqiptar, serb apo hungarez, sepse para së gjithash ai është polic i Serbisë dhe se me humanizmin e treguar ka merituar shpërblimin.