Serbia po shlyen borxhin një miliard euro të Kosovës

Megjithëse Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, kjo e fundit vazhdon të shklyejë borxhin e jashtëm të Kosovës të mbledhur gjatë periudhës jugosllave, pasi e konsideron atë territor të vetin.

Foto ilustruese nga Pixabay.



Serbia do të paguajë rreth një miliard euro për të shlyer borxhin e jashtëm të Kosovës, sepse ajo refuzon ta njohë pavarësinë e ish-krahinës, tregojnë të dhënat e Bankës Kombëtare Serbe të cilat BIRN i disponon.

Ato tregojnë se Serbia po paguan një borxh prej 932.73 milionë euro, të mbledhur nga vitet 1970 deri në 1990, kur Serbia dhe Kosova ishin pjesë e Jugosllavisë.

Serbia ka paguar tashmë pothuajse 650 milionë euro dhe ka edhe 300 milionë të tjera për të paguar te kreditorë të ndryshëm.

Borxhi u ristrukturua gjatë viteve 2002-2005 dhe Serbia nuk po paguan më borxh të jashtëm që Kosova ka marrë që nga ajo kohë.

«Serbia e paguan këtë borxh sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj», tha guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq.

Pjesa më e madhe e parave i detyrohet Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (433.31 milionë euro), Klubit të Parisit (297.2 milionë euro) dhe kreditorëve të Klubit të Londrës (169.85 milionë euro).

Shuma më të vogla i detyrohen Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (5.79 milionë euro), kompanisë hekurudhore europiane Eurofima (4.62 milionë euro), Kuvajtit (18.1 milionë euro) dhe Bashkimit Europian (430.000 euro).

Serbia ka paguar gjithashtu një borxh prej 3.44 milionë eurosh ndaj Libisë, si dhe 1.57 milionë borxhe ndaj ish-Çekosllovakisë.

Beogradi ka shlyer vazhdimisht borxhet që nga viti 2002 dhe aktualisht borxhi është 304.54 milionë euro.

Borxhi ndaj BERZH duhet të shlyhet deri në dhjetor të vitit 2031, borxhi i Klubit të Parisit do të përfundojë deri në 2041, ndërsa ai i Klubit të Londrës deri në vitin 2024 dhe Kuvajtit deri në korrik 2034, tha për BIRN Banka Kombëtare Serbe.

Serbia e mori pjesën e borxhit të Kosovës të trashëguar nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. Kosova u ndalua nga çdo përfshirje pasi Beogradi i hoqi autonominë në vitin 1989.

Pas kësaj, Serbia filloi të paguante borxhet e Kosovës derisa u vendosën sanksionet e OKB-së ndaj Beogradit në vitin 1992. Ajo filloi t’i paguante sërish borxhet në vitin 2001.

Puna e borxhit mbetet e pazgjidhur, pasi Serbia refuzoi ta diskutojë atë me Kosovën gjatë bisedimeve në Vjenë në vitin 2006-2007.

Ekspertët e Kosovës thonë se ajo duhet të zgjidhet dhe se Prishtina është gati të shlyejë pjesën e vet të borxhit jugosllav, nëse Serbia i kthen Kosovës dokumentet e marra pas tërheqjes së detyruar në vitin 1999.

(https://www.reporter.al/serbia-po-shlyen-borxhin-nje-miliard-euro-te-kosoves/)