Serbia përkrah kriminelët e luftës dhe dënon kritikët e tyre

Kur aktivistët protestuan kundër një eventi të organizuar nga partia qeverisëse që promovonte një kriminel lufte të dënuar, ne u arrestuam dhe u gjobitëm – duke treguar përsëri se si zyrtarët serbë ende e refuzojnë të vërtetën mbi konfliktet e viteve 1990.

Kriminel lufte: Veselin Shlivançanin.



Në nëntor të vitit 1991 në Vukovar të Kroacisë rreth 260 vetë u vranë në atë që njihet si masakra e Ovçarës. Të martën, ne që ngritëm zërat tanë kundër autorëve të këtij krimi, u gjobitëm nga një gjykatë serbe. Unë isha një nga tetë aktivistë nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të cilët u gjobitën me nga 50 mijë dinarë secili (rreth 420 euro), sepse protestuam kundër promovimit të një libri nga krimineli i dënuar i luftës Veselin Shlivançanin në janar të vitit të kaluar.

Të tetë ne që u gjobitëm kemi lindur në vitet 1990 dhe të gjitha jetët tona u prekën negativisht nga lufta, ndërsa ata që kryen krime të tmerrshme dhe krime masive, tani mirëpriten dhe vlerësohen nga institucionet serbe dhe publiku i gjerë.

Shlivançanin, një ish-oficer në Armatën Popullore të Jugosllavisë, ishte një nga katër oficerët e akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krimet e kryera në Ovçara. Akuza ndaj tij u bazua në faktin se ai ishte në komandën e drejtpërdrejtë të forcave të Armatës Popullore të Jugosllavisë që morën kontrollin mbi spitalin e Vukovarit, nga i cili civilët joserbë u dërguan në Ovçara dhe më pas u ekzekutuan.

Në fund, ai u dënua me 10 vjet burg nga ICTY-ja për asistim dhe nxitje në torturimin e të burgosurve. Por pasi Shlivançanin e vuajti dënimin, ai u kthye në Serbi, ku ai dikur dhe ende perceptohet si një hero kombëtar. Shumë shpejt, ai filloi të angazhohej në politikë duke mbështetur Partinë Progresive Serbe në pushtet. Në janar të vitit 2017, gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, Partia Progresive organizoi një promovim publik të librit të Shlivançanin në Beshka, një fshat pranë Inxhisë në Serbinë veriore.

Eventi u organizua në një qendër kulturore komunale, një hapësirë publike e financuar nga të gjithë qytetarët e Serbisë. Edhe para kësaj, përfaqësuesit e institucioneve serbe tashmë kishin një histori të pasur përkrahje të kriminelëve të dënuar të luftës dhe organizimin e mirëseardhjeve zyrtare pas daljes së tyre nga burgu, si në rastet e Vladimir Llazareviqit dhe Nikolla Shainoviqit.

Gjatë eventit publik në Beshka, aktivistë të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, një OJQ me bazë në Beograd, erdhën për të protestuar kundër promovimit të një krimineli të dënuar lufte nga partia në pushtet.

Ne i frymë bilbilave dhe shpalosëm një banderolë që thoshte: «Kriminelët e luftës duhet të heshtin, në mënyrë që të flitet për viktimat», pas së cilës një grup mbështetësish të Partisë Progresive dhe përfaqësues të qeverisë lokale e hoqën banderolën dhe na sulmuan fizikisht. Dy prej nesh përfunduan në spital dhe makina jonë u dëmtua.

Pas eventit, filloi një fushatë e organizuar nga shteti kundër nesh. Tabloidët pro regjimit na quajtën «fashistë» dhe «huliganë» dhe grupe ekstremiste të krahut të djathtë erdhën në zyrën e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut. Në fund, u dënuam nga gjykata për kundërvajtje në qytetin e Rumës për shkelje të ligjit duke prishur eventin e librit të Shlivançaninit.

Le të kujtojmë se Serbia miratoi Ligjin e Bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës në vitin 2002, pesë vjet pasi Shlivançanin u dënua, prandaj vendimi i tij njihet ligjërisht nga Republika e Serbisë. Pra, pyetja është, pse nuk mund të quhet kriminel lufte një njeri i dënuar për krime lufte?

Për fat të keq, shembulli i Shlivançaninit është vetëm një nga shumë raste të ngjashme që tregojnë mbështetjen e fortë të institucioneve serbe për krimet e luftës dhe autorët e tyre. Aktualisht, njëri prej tyre madje është ulur si deputet në parlamentin serb (Vojisllav Shesheli), ndërsa Ministria e Mbrojtjes po boton ditarët e luftës të një tjetri (Nebojsha Pavkoviq) dhe i promovon publikisht ato në Panairin e Librit të Beogradit. Shesheli u gjet fajtor për krime kundër njerëzimit dhe u dënua me 10 vjet burg, ndërsa Pavkoviqi u shpall fajtor për persekutimin, vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës dhe u dënua me 22 vjet burg.

Vlen të theksohet edhe rasti i Vlladimir Llazareviqit, i cili u ftua të ishte lektor ligjërues në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Serbe disa muaj më parë. Llazareviq u dënua me 14 vjet burg për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Pra, saktësisht kur fakti që një krim është kryer gjatë luftës u bë rrethanë lehtësuese? Ka zemërim publik për krimet individuale, por nuk ka ndjeshmëri publike për viktimat e krimeve të luftës të vrara nga njerëzit që fshihen pas flamurit serb.

Disi, përgjatë rrugës, doli se patriotizmi dhe dashuria për vendin tënd nënkupton të mbështesësh kriminelët e luftës dhe t’i lavdërosh ata si heronj – për aq kohë sa ato janë «tanët», sigurisht. Ndërkohë që ne që shkuam në Beshka për të protestuar kundër promovimit publik të autorëve të krimeve të luftës u dënuam brenda një viti, por disa nga gjyqet e krimeve të luftës që po vazhdojnë në Serbi kanë vazhduar për më shumë se një dekadë, pa ndonjë shenjë përfundimi. Provat po humbasin dhe viktimat po lodhen dhe gjithnjë e më shumë nuk duan të marrin pjesë në procese ligjore që qartazi nuk do të sjellin ndonjë kënaqësi.

Dënimet tona për kundërvajtje dërguan një mesazh të qartë se kriminelët e luftës jo vetëm tolerohen, por janë edhe të dëshirueshëm në jetën publike. Ata që janë gjetur ligjërisht përgjegjës për vrasjet, dëbimet dhe mizoritë e tjera masive, mbështeten nga zyrtarët tanë dhe mirëpriten nga institucionet tona – dhe kushdo që nuk e pranon këtë quhet tradhtar ose agjent i huaj.

Kjo është arsyeja pse Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut po i bën thirrje publikut serb të marrë pjesë në një protestë që do të mbahet të enjten në Beograd për të treguar se ka ende njerëz që nuk pajtohen me këtë gjë.

Jovana Prusina është një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut. Ajo tani është koordinatore programi për programin e Drejtësisë Tranzicionale të BIRN.