Serbia ndan 40,5 milionë euro për serbët në Kosovë, Prishtina e Tirana s’japin asnjë cent për Luginën e Preshevës

Nga buxheti i Republikës së Serbisë në vitni 2017 do të ndahen 40,5 milionë euro për pakicën serbe në Kosovë. Në buxhetet e qeverive në Prishtinës dhe Tiranë nuk parashihet të jepet asnjë cent për rreth 100 mijë shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Pamje nga Mitrovica veriore. Foto: Shutterstock



Kryetari i Komisionit parlamentar të Serbisë për «Kosovë e Metohi», Milorad Drecun, ka njoftuar se nga buxheti i Serbisë në vitin 2017 parashihet të vihen në dispozicion të pakicës serbe në Kosovë 40,5 milionë euro. Drecun, ish-gazetar propagandist i telegvizionit të Serbisë gjatë viteve ’90 dhe reporter i revistës së Armatës Popullore të Jugollavisë në vitet ’80, tha se ndarja e kësaj shume për serbët në Kosovë «është shenjë për praninë e vazhdueshme të Serbisë në Kosovë dhe Metohi».

Me paratë e ndara, sipas tij, synohet të përkrahet vetadministrimi, bujqësia, shëndetësia, arsimi dhe kthimi i serbëve në Kosovë. Drecun theksoi se nuk do të reduktohet asnjë vend pune në 29 administrata lokale. Të gjitha këto do të vazhdojnë të punojnë, shtoi ai. Politikani serb njoftoi se ekziston firma «Metohija», e cila, sipas tij, është shumë e rëndësishme për shkak të plasimit të prodhimeve bujqësore, distribuimit dhe shitjes. Janë paraparë mjete edhe për Bashkësinë e Komunave Serbe. «Do të këmbëngulim në themelimin e Bashkësisë së Komunave», tha Drecun dhe nënvizoi se financimi do të jetë i lidhur me buxhet të Serbisë. Supozohet se në Kosovë jetojnë rreth 120 mijë serbë.

Njëkohësisht rreth 100 mijë shqiptarë vazhdojnë të jetojnë në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë. Që nga përfundimi i luftës së Kosovës dhe pas konfliktit të shkurtër në Luginën e Preshevës mijëra banorë kanë braktisur vendlindjet dhe janë shepërngulur në Kosovë, kryesisht në rajonin e Gjilanit dhe në Prishtinë. Mbështetja për Luginën e Preshevës nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë është pothuaj inekzistente.

Buxhetet e qeverive të Prishtinës dhe Tiranës nuk parashohin asnjë cent për shqiptarët nën Serbi. Përfaqësues politikë të Luginës së Preshevës kanë kërkuar vazhdimisht të jenë pjesë e buxhetit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe të ketë një fond të veçantë për këtë rajon. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka premtuar përkrahje financiare për ndërtimin e një materniteti në Preshevë. Serbia prej vitesh po kërkon hapjen e një Konsullate në Shkodër, ndërsa Shqipëria dhe Kosova nuk kanë asnjë zyrë në Luginën e Preshevës. (-lli)