Serbia kërkon shtyrjen e debatit për pranimin e Kosovës në UNESCO

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq sot në Paris ka apeluar tek anëtarët e Konferencës së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë (UNESCO) që ta shtyjnë debatin për pranimin e Kosovës, siç ka thënë ai, transmetojnë medie të Beogradit, për t’iu dhënë shansi dialogut, sepse, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme që të arrihet një zgjidhje e pranueshme dypalëshe, transmeton Koha.net.




Kështu, ka thënë Daçiq në Konferencën e Përgjithshme, do të evitoheshin ndarjet, politizimi dhe konfrontimi në UNESCO për t shtuar më pas : «Kërkojmë shans e marrëveshje në vend të njëanshmërisë». Serbia ka bërë fushatë aq sa ka mundur për të ndaluar pranimin e Kosovës në UNESCO.

Vetë Daçiqi më herë kishte thënë se pranimi i Kosovës në UNESCO është i njëjtë sikur në këtë organizatë të pranohej ISIS.
Edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, kishtarë e shkencorë nga Serbia kanë zbrazur shumë fjalë fyese për Kosovën dhe kërkesën saj për anëtarësim në UNESCO.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris dje ka filluar dje punimet. Kosova në këtë Konferencë pritet të jetë në rend dite në fillim të javës së ardhshme.