Serbia kërkon futjen në agjendë të bisedimeve në Bruksel çështjen e Kishës Ortodokse

Serbia po kërkon që në bisedimet e nivelit të lartë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe çështja e statusit të Kishës Ortodokse serbe.




Këtë e ka thënë gjatë ditës së djeshme para gazetarëve në Bruksel, Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ai ka thënë se këtë kërkesë e ka parashtruar gjatë bisedimeve teknike për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd.

«Ne besojmë se ka ardhur koha që ne të mbrojmë statusin e Kishës në Bruksel pasi që tash e disa vite janë bërë përpjekje për heqjen e të drejtave, rëndësisë dhe rolit të saj”, ka thënë Gjuriq duke shtuar se “Serbia asnjëherë nuk do të pajtohet me këtë», transmeton Koha.net.

Ai kritikoi edhe përpjekjet e Kosovës në lidhje me anëtarësimin në UNESCO dhe tha se ata që kanë shkatërruar dhe djegur kisha, tani synojnë të dëshmojnë se trashëgimia kulturore serbe është e tyre.

Gjuriq bëri me dije se diplomacia serbe ka ndërmarr një fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.